Këto janë fotot e sendeve që u sekuestruan një vit më parë nga policia e Selanikut gjatë operacionit për goditjen e grupit të drejtuar nga Gentian Çipi, i cili sot u arratis nga burgu. Gentian Çipi, 41 vjeç, Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, të tre nga Korça, u arrestuan nga policia greke më 8 shtator 2025.
Autoritetet i dyshojnë se në orët e para të 3 shtatorit 2024, në zonën e Pilaias në Selanik, tre të dyshuarit kanë hapur zjarr jashtë një kantine, duke tentuar të vrasin një 25-vjeçar grek. Viktima u plagos rëndë, duke marrë plumba në gjoks dhe dorë. Në vendin e ngjarjes policia gjeti tre gëzhoja. Sipas deklarimeve të policisë greke, personi që qëlloi me armë ishte Gentian Çipi, i konsideruar si kreu i një grupi kriminal që merret me trafik droge dhe veprime të dhunshme. Pas ngjarjes, tre të dyshuarit largohen me një automjet në pronësi të Enea Bashollit, raporton korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe.
Gjatë operacionit për kapjen e tyre në Selanik në 2025, Çipi dhe Topa nuk i janë bindur urdhrit të policisë; ata rritën shpejtësinë e mjetit dhe kryen manovra të rrezikshme, duke përplasur një automjet policie. Më pas braktisën automjetin dhe u larguan në këmbë, por u kapën më vonë. Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, policia arrestoi edhe Enea Bashollin.
Gjatë kontrolleve dhe bastisjeve të kryera nga policia greke janë gjetur dhe sekuestruar një armë automatike Kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, një pasaportë false dhe një patentë false, si dhe 23,350 euro në para të gatshme. Një numër celularësh dhe tre automjete u sekuestruan po ashtu si pjesë e materialit të hetimit.
Materiali i fotografuar tregon pjesën e sendeve të konfiskuara gjatë operacionit policor që çoi në arrestimet e vitit 2025 dhe që lidhen me ngjarjet e dhunës dhe trafikimit të drogës të hetuara nga autoritetet greke.

