Operacioni u zhvillua nga Policia e Shtetit italian, në koordinim me 106 drejtoritë e policisë në të gjithë vendin, me fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të të rinjve, si individë ashtu edhe në grupe të organizuara. Gjatë përpjekjeve të koordinuara, efektivët e 106 skuadrave të lëvizshme kontrolluan gjithsej 236.138 të rinj, prej të cilëve 23.060 ishin të mitur.
Si rezultat i veprimeve, u arrestuan 575 të rritur dhe 69 të mitur për vepra penale kundër personit, pronës dhe për çështje që lidhen me lëndët narkotike. Në gjendje të lirë policia ka proceduar penalisht edhe 1.695 persona, përfshirë 373 të mitur të dyshuar për vepra si përvetësimi i sendeve të vjedhura, mbajtja e armëve dhe mjeteve të rrezikshme dhe posedimi i lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.
Autoritetet identifikuan si aktivitetet kriminale më të shpeshta tentativa për vrasje, plagosjet, përleshjet në grup, dëmtimin e pronës, zhvatjen, vjedhjet, grabitjet dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope. Policia njoftoi gjithashtu se disa nga këto veprime kriminale publikoheshin në rrjetet sociale nga vetë autorët.
Një nga rezultatet kryesore të operacionit ishte sekuestrimi i sasisë së konsiderueshme të lëndëve narkotike: 69,4 kilogramë kokainë; 328,44 gramë heroinë; 174,8 kilogramë kanabis dhe produkte të tjera kanabinoide; sasi më të vogla ekstazie, ketamine dhe amfetamine; si dhe kapsula Lyrica dhe benzodiazepina. Gjatë kontrolleve dhe kontrollimeve në banesa e ambiente të tjera, u gjetën edhe shumë sende që dyshohet se vinin nga vjedhjet, përfshirë varëse ari, tableta, telefona celularë dhe veshje. Policia sekuestroi gjithashtu 269.863 euro para të gatshme.
Sa i përket armëve dhe mjeteve të rrezikshme, u sekuestruan 28 armë zjarri, ndër to armë të shkurtra dhe të gjata, dhe 210 armë të ftohta. Mes sendeve të tjera të sekuestruara ishin 6 kaçavida, 2 shkopinj bejsbolli, 2 shkopinj teleskopikë, 2 pistoleta me ajër të kompresuar (soft air), 1 pistoletë gjysmëautomatike me fishekë manovër, 1 pistoletë lodër, 6 spraj me spec djegës, 2 doreza metalike për goditje, 1 thikë prerëse për materiale dhe 2 kapuçë për mbulimin e fytyrës. U sekuestruan edhe disa mjete shpërthyese, bombola me spraj irritues, thika prerëse dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për hapjen e dyerve dhe kryerjen e vjedhjeve. Operacioni përbën pjesë të masave të autoriteteve italiane për të luftuar kriminalitetin e të rinjve, veçanërisht në zonat e njohura për shpërndarjen e drogës dhe frekuentimin e lartë gjatë orëve të natës.

