Një gjykatë federale e apelit në Shtetet e Bashkuara urdhëroi të premten administratën e presidentit Donald Trump të ndalojë përkohësisht ndërtimin e një salle vallëzimi me vlerë 400 milionë dollarë në vendin ku më parë ndodhej Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë. Me një vendim 2-1, Gjykata e Apelit la në fuqi urdhrin e përkohshëm gjyqësor të siguruar nga Fondi Kombëtar për Ruajtjen e Trashëgimisë Historike, i cili kishte ngritur padi pas shembjes së Krahut Lindor dhe nisjes së punimeve për një sallë vallëzimi prej rreth 89 mijë metrash katrorë pa miratimin e Kongresit.
Gjykata, megjithatë, vendosi të shtyjë zbatimin e vendimit për 14 ditë, duke i dhënë administratës Trump kohë për të paraqitur apel në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Më herët, administrata kishte apeluar edhe vendimet e gjyqtarit federal Richard Leon, i cili në dy raste kishte bllokuar ndërtimin e strukturave mbi tokë, ndërsa kishte lejuar vijimin e punimeve nëntokësore. Leon, i emëruar nga ish-presidenti republikan George W. Bush, argumentoi se asnjë ligj federal nuk i jep presidentit autoritetin për të ndërtuar një objekt të tillë pa miratimin e Kongresit.
Administrata Trump ka mbrojtur projektin, duke e paraqitur sallën e vallëzimit si një investim të domosdoshëm për organizimin e aktiviteteve të mëdha zyrtare dhe për rritjen e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Projekti perceptohet si një nga nismat më ambicioze të administratës për të ndryshuar peizazhin arkitektonik të ndërtesave qeveritare dhe monumenteve kombëtare në Uashington.
Presidenti Trump ka mbrojtur gjithashtu koston e projektit, e cila është dyfishuar krahasuar me vlerësimet fillestare. Në një postim në rrjetin e tij Truth Social muajin e kaluar, ai tha se rritja e kostos lidhet me zgjerimin e projektit dhe përdorimin e materialeve me cilësi më të lartë. “Salla do të jetë madhështore, e sigurt dhe e mbrojtur”, shkroi Trump.

