Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se do të apelojë në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të një gjykate federale apeli në Uashington, e cila ndaloi administratën e tij të vazhdojë ndërtimin e një salle të madhe vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë. Ai e përshkroi vendimin si “politik” dhe, përmes një postimi në platformën e tij sociale, tha se do të paraqesë menjëherë apel në Gjykatën Supreme. “Ky vendim i padrejtë duhet të rrëzohet nga Gjykata Supreme në tërësi. Agjencitë ushtarake dhe të inteligjencës e konsiderojnë vendimin e gjykatës federale të apelit të tmerrshëm, të motivuar politikisht dhe të paligjshëm”, shkroi Trump në Truth Social.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte vendosur se administrata po vijonte në mënyrë të paligjshme me projektin e ndërtimit të sallës së vallëzimit. Vendimi u mor me shumicë votash 2-1 dhe mbështeti padinë e Fondit Kombëtar për Ruajtjen Historike, organizata më e madhe e ruajtjes së trashëgimisë historike në SHBA, e cila kishte kundërshtuar projektin.
Në arsyetimin e saj, gjykata theksoi se çdo president amerikan është një “banor i përkohshëm, jo pronar” i Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës presidenciale. “Çdo president është një banor i përkohshëm, jo pronar, i Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës presidenciale. Presidenti nuk ka dhe as nuk pretendon të ketë autoritet të caktuar kushtetues mbi këtë pronë, e cila është projektuar dhe mirëmbajtur për përdorimin e të gjithë presidentëve, të kaluar dhe të ardhshëm, si dhe për popullin amerikan”, thuhet në vendimin e gjykatës, sipas CNN.
Gjykata e Apelit gjeti gjithashtu se Fondi Kombëtar për Ruajtjen Historike pati paraqitur prova që tregojnë se Kongresi nuk i ka dhënë degës ekzekutive autoritet të pakufizuar për të “riprojektuar, rimodeluar dhe rindërtuar në mënyrë drastike Shtëpinë e Bardhë – Shtëpinë e Popullit – për t’iu përshtatur dëshirave të një presidenti të caktuar”. Vendimi i gjykatës nuk hyn menjëherë në fuqi; zbatimi u pezullua për dy javë, duke i dhënë kohë administratës Trump për të paraqitur apel në Gjykatën Supreme të SHBA-së. (Top Channel)

