Në një lidhje live për “Top Story”, avokatja dhe studiuesja e Oxford-it Rudina Jasini komentoi vendimin e Hagës që dënon ish-liderët e UÇK-së, duke u shfaqur e përlotur dhe duke e quajtur situatën “një realitet shumë të dhimbshëm”. Ajo kritikoi ligjin mbi të cilin u ngrit gjykata, të cilin e cilësoi problematik që në gjenezë, dhe ngriti shqetësimin se ai krijon hapësira procedurale për gjyqtarët, duke e bërë një instancë të paprecedentë që, sipas saj, është gjykatë e Kosovës e administruar nga ndërkombëtarët.
Jasini tha se procesi ka zgjatur 5 vite e gjysmë dhe akuzoi prokurorinë se nuk paraqiti çështjen “as të bazuar në krime”. Ajo shprehu keqardhje për mënyrën si është hartuar ligji dhe për pasojat që ky ka sjellë, duke theksuar dyshimet e saj ndaj funksionimit të gjykatës. Përsa i përket Apelit, Jasini vlerësoi se ai nuk pritet të sjellë ndryshime radikale në dënimet e dhëna; si argument solli faktin që gjykata e apelit nuk ka lëvizur shumë në tre çështje paraprake lidhur me luftën e UÇK-së. Ajo theksoi gjithashtu se edhe nëse do të votohej për të zhbërë gjykatën, kjo nuk do të ndikonte tek 81 vitet e dënimeve që janë vendosur tashmë.
Avokatja u ndal te aspekti njerëzor, duke thënë se janë parë këta individë edhe “në aspektin njerëzor” kur privohen nga liria dhe kur u mohohet edhe liria me kusht. Ajo konsideroi të vështirë vendimin për dënime të tilla, përfshirë dënimin prej 25 vitesh, dhe diskutoi karakterin e liderëve të gjykuar, që sipas saj “epoka i bëri lidera” dhe se ata nuk zgjodhën luftën, por u zgjodhën nga rrethanat.
Jasini kritikoi mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në sallë gjatë vendimeve, duke vënë në dukje se vendimet jepen “në emër të popullit të Kosovës” pa praninë e një shtetasi shqiptar përveç përkthyesit. Ajo përmendi se vendimi është një “tragedi kombëtare për popullin e Kosovës dhe Shqipërisë” dhe bëri thirrje që shqiptarët të jenë më vigjilentë në të ardhmen për të adresuar këto rryma.

