Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar ndaj mënyrës së trajtimit të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe të ish-presidentit Ilir Meta në sallat e gjyqit, duke iu referuar ankesave të paraqitura nga avokatët e tyre. KShH e konsideron të paligjshme dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare praktiken e vendosjes së të pandehurve në “kafaz” — fillimisht metalik e më pas prej xhami — gjë që, sipas tij, rrezikon zhvillimin e një procesi të rregullt dhe të drejtë.
Avokati i Beqajt në një shkresë të datës 10.04.2025 ka informuar disa institucione, përfshirë KShH, se klienti i tij vendoset në kafaz sigurie gjatë seancave paraprake; për të komunikuar ai duhet të kërkojë leje dhe t’i afrohet fizikisht kafazit, çka kufizon ushtrimin efektiv të mbrojtjes. Me vendimin e datës 07.04.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi ankimin, duke argumentuar se vendosja në kafaz është kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e jo e gjykatës.
Sipas raportimit të medias të datës 21 Prill 2026, avokati i Ilir Metës ka paraqitur kërkesë të ngjashme që klienti të mos mbahet në kabinën prej xhami gjatë seancave, duke pretenduar shkelje të të drejtave kushtetuese dhe standardeve ndërkombëtare. Të dy shtetasit mbahen në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale me masën e sigurisë “arrest në burg”.
KShH argumenton se praktika e përdorimit të kafazit shkel dispozitat e legjislacionit vendas: neni 341 i Kodit të Procedurës Penale u jep gjykatave kompetencën ekskluzive për drejtimin e seancave dhe ruajtjen e rendit, ndërsa neni 344 parashikon që i pandehuri merr pjesë në gjykim si person i lirë, edhe kur është i paraburgosur, dhe kufizimet lejohen vetëm nëse ai pengon zhvillimin e seancës. Ligji nr. 81/2020 dhe aktet nënligjore për trajtimin e të paraburgosurve nuk parashikojnë përdorimin e kafazit si masë standarde në sallën e gjyqit.
Komiteti vëren gjithashtu se praktika bie në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përfshirë rastin Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë, ku mbajtja në kafaz u konsiderua trajtim poshtërues (shkelje e nenit 3) dhe se kufizime të tilla cenojnë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për proces të rregullt (neni 6). KShH konkludon se vendosja automatike në kafaz nuk ka bazë ligjore dhe kërkon zbatim korrekt të Kodit të Procedurës Penale dhe respektim të standardeve të EDRNJ.














