Kompozitori Andrew Lloyd Webber njoftoi se ankandi i koleksionit të tij privat të verërave ka mbledhur 517,910 paund për organizatën Music in Secondary Schools Trust (Misst). Koleksioni, i titulluar “Thesaret e Fundit nga Bodrumi i Verës i Andrew Lloyd Webber”, u shit në ankandin e zhvilluar nga shtëpia Christie’s dhe përbëhej nga verëra të rralla, sipas shtëpisë së ankandeve, nga “vreshtat më të shquara dhe prodhimet më të mira të shekullit të kaluar”, të ruajtura në pronën rurale të kompozitorit në Hampshire.
Lloyd-Webber, i cili ka bërë të ditur së fundmi se po trajtohet dhe po rikuperohet nga alkoolizmi, u shpreh i emocionuar për shumën e mbledhur. Ai tha: “Jam absolutisht i kënaqur që shitja e verës sime që ka mbledhur mbi gjysmë milioni paund për skemën Muzika në Shkolla. Muzika i fuqizon të rinjtë.” Kompozitori theksoi se muzika ndikon pozitivisht jo vetëm në arritjet akademike, por edhe në zgjidhjen e problemeve sociale, të sjelljes dhe shëndetit mendor tek të rinjtë. Ai kritikoi, gjithashtu, mungesën e investimeve nga qeveritë britanike në programe të tilla arsimore dhe kulturore.
Nga ana e organizatës që do të përfitojë nga fondet, CEO-ja e Misst, Rachel Landon, tha se mjetet e mbledhura do të përdoren për të zgjeruar programet muzikore dhe për të arritur më shumë nxënës. Ajo shprehu se: “Këto burime do të bëjnë një ndryshim për shumë fëmijë, duke na lejuar të zgjerojmë shtrirjen tonë dhe të mbështesim edhe më shumë të rinj.” Sipas saj, fondet do të ndihmojnë në shpërndarjen e programit për mijëra nxënës të tjerë.
Lajmi për shitjen e koleksionit dhe shumat e mbledhura u bë i ditur në komunikimet e shtëpisë së ankandeve Christie’s dhe në deklarimet publike të kompozitorit dhe përfaqësueses së Misst.

