Analiza e The Independent tregon se çështja e aseteve iraniane të ngrira me vlerë 24 miliardë dollarë është bërë pika kryesore e ngërçit në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për një marrëveshje paqeje. Armëpushimi i brishtë në Lindjen e Mesme u vu sërish në provë pas akuzave të Iranit ndaj SHBA-së për shkelje të marrëveshjes përmes goditjeve pranë Ngushticës së Hormuzit, megjithëse administrata e Donald Trump minimizoi incidentet. Negociatat po vazhdojnë përmes shkëmbimit të propozimeve për një memorandum mirëkuptimi që do të lejonte bisedime më të gjera.
Administrata Trump kërkon që Irani të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore, ndërsa Teherani kërkon garanci për sovranitetin, përfundimin e luftës në Liban dhe heqjen e bllokadës detare amerikane. Sipas agjencive iraniane të lajmeve Fars News Agency dhe Tasnim News Agency, pika kryesore e mosmarrëveshjes është lirimi i fondeve iraniane të ngrira në banka të ndryshme në botë.
Irani kërkon lirimin e menjëhershëm të 24 miliardë dollarëve si pjesë e marrëveshjes paraprake; më parë kishte kërkuar zhbllokimin e 12 miliardë dollarëve të mbajtura në Katar. Një pjesë e këtyre fondeve, rreth 6 miliardë dollarë, i përkasin të ardhurave nga shitjet e naftës iraniane në Korenë e Jugut dhe u ngrinë pas rikthimit të sanksioneve amerikane në 2018, kur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore.
Zyrtarët vlerësojnë se asetet iraniane të ngrira në mbarë botën arrijnë rreth 100 miliardë dollarë dhe ruhen kryesisht në vende si Kina, India, Japoni, Katari dhe Iraku. Ndërkaq, administrata amerikane ka shmangur komentet e drejtpërdrejta mbi çështjen e fondeve të ngrira.
Sipas mediave britanike, aleatët e Trump kundërshtojnë lirimin e miliardave dollarëve para se Irani të pranojë kufizime të forta mbi programin bërthamor, me argumentin se një lirimin i tillë do të përbënte një fitore politike për Teheranin. Negociatat po zhvillohen në Katar, ku pala iraniane synon të arrijë një marrëveshje paraprake për lirimin e fondeve dhe rifillimin e dialogut me SHBA-në.
Burimi: Top Channel.

