Një total prej 101 të dënuarish u liruan këtë të mërkurë nga burgu i Reçit në Malësi të Madhe, për shkak të amnistisë penale të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Përfitues të amnistisë janë ata që janë dënuar për vepra të lehta penale, si dhe të dënuarit që ndodheshin në muajt e fundit të vuajtjes së dënimit.
Mes të liruarve ishte Igli Muhameti, i cili pas daljes nga burgu foli për mediat mbi përvojën e tij gjatë vuajtjes së dënimit dhe për rastin për të cilin ishte arrestuar. Ai deklaroi se kishte qenë i dënuar për lëndë narkotike dhe se kishte vuajtur dënimin: “U dënova 3.4 vite dhe përfitova 7 muaj e 20 ditë.” Muhameti tha se vuajtja e burgut i kishte bërë mirë dhe shprehu mirënjohje ndaj institucionit të Shkodrës: “Kemi vuajtur këtë burg, na ka bërë mirë. E falënderoj institucionin e Shkodrës, jam shumë krenar, jam krenar edhe për këtë burgun që kam bërë.”
Ai shtoi se situata e përgjithshme sociale e vendit e bën të vështirë jetesën jashtë burgut: “Më ka bërë mirë ky burg, sepse në Shqipëri nuk rrihet. Ky vend është bela.” Muhameti përmendi se ka tre fëmijë dhe se ndjeu se nuk duhej të kalonte aq kohë në burg: “Kam tre fëmijë. Nuk më takonte të bëja kaq burg sa kam bërë.” Ai tha gjithashtu se doli si përdorues dhe si rregull duhet të vuante deri në gjashtë muaj, ndërsa sipas fjalëve të tij pati edhe referenca të tjera për dënimin: “U dënova 7 vite pretencë. U zura me 5 cigare.”
Muhameti komentoi edhe për çështjet e tjera që sipas tij prekin popullatën e burgosur, duke vënë në dukje se “Ka shumë njerëz të pafajshëm brenda në burg për dhunë në familje. Ka shkuar gruaja pa shenja dhe pa ekspertizë dhe janë në burg më kot.” Ai bëri krahasime të kushteve të burgut, duke thënë se kushtet në Shkodër janë shumë të mira, ndërsa për vendin ku ka qenë më parë, 302 në Tiranë, tha se “ishte katastrofë.”

