Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përpiluar projektligjin “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”, i cili më pas u miratua nga Qeveria e Shqipërisë. Nisma synon të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes për grupet financiare që veprojnë në më shumë se një sektor të tregut, duke vendosur një kuadër të përbashkët rregullator për këto struktura.
Sipas tekstin e projektligjit, një grup do të konsiderohet konglomerat financiar kur përbëhet të paktën nga një subjekt bankar dhe një subjekt sigurimi ose investimi, dhe kur aktiviteti i tij në sektorë të ndryshëm plotëson disa kritere të përcaktuara në ligj. Kuadri i propozuar është hartuar në përputhje me Direktivën 2002/87/EC të Bashkimit Evropian, të njohur si FICOD, ndërsa synon të përshtasë praktikën shqiptare me standardet evropiane për mbikëqyrjen e grupeve financiare.
Mbikëqyrja shtesë e parashikuar nga projektligji do të përqendrohet në disa aspekte kyçe të funksionimit të konglomerateve. Ndër to përfshihen mjaftueshmëria e kapitalit në nivel grupi, përqendrimet e rrezikut që mund të lindin nga aktivitetet e përbashkëta, transaksionet e brendshme midis subjekteve të grupit, menaxhimi i rrezikut dhe efektiviteti i kontrolleve të brendshme. Qëllimi i këtyre dispozitave është të kufizohen rreziqet që dalin nga vështirësitë financiare në një subjekt të përhapen dhe të ndikojnë te subjektet e tjera brenda të njëjtit konglomerat.
Projektligji parashikon gjithashtu një bashkëpunim më të ngushtë mes AMF-së dhe Bankës së Shqipërisë për identifikimin e konglomerateve, për shkëmbimin e informacionit dhe për koordinimin e veprimeve mbikëqyrëse. Për çdo konglomerat do të përcaktohet një autoritet koordinator, me mundësinë e bashkëpunimit edhe me autoritete të huaja kur situata e kërkon, për të siguruar një mbikëqyrje koherente dhe të sinkronizuar. Burimi: Top Channel.

