Në emisionin “Ftesë në 5”, nën moderimin e Bieta Sulo, u diskutua për publikimin e videove intime pa pëlqim, si dhe për pasojat e bullizmit online, ekspozimit të jetës private dhe abuzimit me të miturit. Mirgit Vataj nga Urdhri i Punonjësve Socialë njoftoi se gjatë vitit të kaluar, rastet e abuzimit seksual me të mitur të denoncuara në Policinë e Shtetit përbënin 5707 materiale të abuzimit seksual të fëmijëve. Ai theksoi mungesën e një njësi emergjencash sociale dhe nevojën që shërbimet të reagojnë direkt te rastet, duke përfshirë hetimet e policisë, psikologët dhe rrethin familjar. Vataj vuri në dukje se numri i materialeve të kapura nga sistemi është i lartë dhe se bëhet fjalë për materiale me fëmijë shqiptarë, të qarkulluara nga përdorues shqiptarë dhe kapur nga sistemi në SHBA.
Gjatë diskutimit u përmendën edhe pasojat ekstreme për viktimat, përfshirë raste fatale, dhe pyetja nëse ekzistojnë mekanizmat për t’u qëndruar pranë të prekurve. Aktivistja Belioza Çoku ngriti alarmin për rritjen e rasteve të vetëvrasjeve dhe mendimeve suicidale te viktimat e bullizmit online, duke përmendur raportimet në BE që tregojnë një rritje të kërkesës për ndihmë për bullizmin online në grupmoshat 13–17 vjeç, dhe një shtim të nevojave edhe te grupmoshat 18–25 dhe 25–35 vjeç. Ajo theksoi se ekspozimi publik i jetës private sjell pasoja të rënda dhe se formësof dhune online mund të çojë në shtim të mendimeve suicidale.
Çoku kritikoi rolin e disa mediave që, sipas saj, në emër të lirisë së fjalës kanë harruar misionin e informimit publik dhe ndërgjegjësimit, duke u bërë palë në një “gjyq popullor” dhe viktimizuar edhe më shumë personat e ekspozuar. Ajo përmendi Telegramin si një platformë që përbën alarm në këtë kontekst. Diskutimi nxori në pah nevojën për reagim institucional dhe mbështetje psikologjike për viktimat, si dhe shqetësimin për përmasat shqetësuese të qarkullimit të materialeve abuzive dhe ndikimet e tyre sociale dhe personale.

