Bayern Munich është i shqetësuar për gjendjen shëndetësore të trajnerit Vincent Kompany, pas raportimeve se tekniku belg është transportuar në një spital në Mynih. Mediat gjermane “Bild” dhe “Sky” shkruajnë se Kompany dyshohet se është rrëzuar pas përfundimit të stërvitjes së skuadrës, ndërsa klubi nuk ka dhënë ende një konfirmim zyrtar apo detaje të mëtejshme për situatën.
Sipas të njëjtave burime, një mjek i urgjencës është thirrur për të asistuar trajnerin, dhe një helikopter raportohet se ka zbritur më herët në ambientet stërvitore të Bayernit, në Säbener Straße. Rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa tifozët dhe mediat presin një njoftim zyrtar nga klubi për gjendjen e 40-vjeçarit.
Shqetësimet për shëndetin e Kompany vijnë pas disa ditësh gjatë të cilave ai kishte vuajtur nga një infeksion viral. Për shkak të këtij problemi, ai kishte munguar në seancën e fundit stërvitore dhe në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Champions League kundër Arsenalit, që përfundoi në barazim 2-2. Megjithatë, pavarësisht problemeve shëndetësore, Kompany u rikthye në pankinë për ndeshjen e zhvilluar në “Allianz Arena”.
Pas sfidës, trajneri kishte folur për gjendjen e tij fizike dhe kishte pranuar se kishte kaluar një javë të vështirë për shkak të virusit. Ai tha: “Si trajner, gjithmonë dëshiron të bësh gjithçka. Javën e kaluar kalova një virus mjaft të rëndë dhe, natyrisht, nuk e dëgjova trupin tim. Në një moment, trupi më tha: ‘Tani ndalo!’”
Aktualisht, informacionet për transportimin e Kompanyt në spital mbështeten në raportimet e mediave gjermane, ndërsa Bayern Munich nuk ka lëshuar ende një deklaratë zyrtare që të sqarojë gjendjen e trajnerit dhe arsyet e transportimit.

