Pas raportimeve se rezervat e raketave të ushtrisë amerikane janë zvogëluar ndjeshëm, administrata e Trumpit reagoi me forcë duke i hedhur poshtë këto pretendime dhe duke këmbëngulur se forcat kanë rezerva të mjaftueshme për çdo skenar ushtarak. Lajmet erdhën në një periudhë të tensionuar, kur presidenti Trump alternon kërcënime sulmesh ndaj Iranit, njoftime për negociata dhe fjalë për një marrëveshje të mundshme me Teheranin.
Burim i debatit janë tre raporte kryesore. CSIS vlerëson se raketat mbrojtëse Patriot janë rënë nga rreth 2,300 para luftës me Iranin në rreth 830 aktualisht. Rezervat e sistemit THAAD thuhet se kanë rënë nga 452 në 278 që nga fillimi i përleshjeve. CNN dhe Reuters, duke iu referuar vlerësimeve të brendshme të Pentagonit dhe dy burimeve të paidentifikuara, raportuan konsum të madh të raketave sulmuese ATACMS dhe Precision Strike Missiles (PrSM), me Reuters që tha se “pothuajse të gjitha” këto armë janë përdorur. ATACMS, me rreze deri 300 km, përdoren edhe në Ukrainë, ndërsa PrSM pritet t’i zëvendësojnë ato në perspektivë afatgjate.
Po ashtu, sipas Reuters dhe raporteve paraprake të CNN, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur rreth gjysmën e rezervave të raketave Tomahawk, të lëshuara nga anijet dhe nëndetëset. Për riplotësim ka shqetësim, sepse prodhimi është i ngadalshëm: sipas CNN, SHBA merr rreth 15 raketa Tomahawk dhe 20 Patriot në muaj, dhe mund të duhen deri në dy vjet për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme. CSIS thotë se raketat PrSM mund të jenë në nivele para-luftës që në mes të vitit të ardhshëm.
Qeveria kundërshtoi raportet si të pasakta. Presidenti Trump u shpreh se SHBA ka më shumë municione se kushdo tjetër dhe industri e mbrojtjes po prodhon më shumë se kurrë. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ushtria ka gjithçka të nevojshme, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sulmoi hapur CNN-in për një grafik që e quajti të pasaktë dhe kritikoi mediat që e raportuan temën. Raportimet ngrejnë shqetësime se rezervat e ulëta mund të kufizojnë aftësitë amerikane në një përballje të mundshme me Rusinë, Kinën ose Korenë e Veriut.

