Një helikopter ushtarak rus i tipit Mi-8 ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë, duke depërtuar rreth 300 metra brenda territorit ajror dhe qëndruar aty për rreth 42 sekonda, njoftuan autoritetet polake. Fluturimi u monitorua nga sistemet radarike të Forcave të Armatosura të Polonisë. Pas identifikimit të incidentit, avionë luftarakë polakë u ngritën menjëherë në ajër, ndërsa forcat tokësore dhe njësitë e tjera ushtarake u vendosën në gatishmëri.
“Fluturimi i mjetit ajror u monitorua nga sistemet radarike të Forcave të Armatosura polake,” thuhet në deklaratën e autoriteteve. Komanda polake deklaroi se natyra e incidentit sugjeron, sipas vlerësimit të saj, se Rusia po teston sërish gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të Polonisë. Autoritetet theksuan gjithashtu se ekipet e sistemeve të mbrojtjes ajrore kryejnë mbikëqyrje 24 orë në ditë dhe qëndrojnë në gatishmëri të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të vendit.
Zyrtarët polakë vuri në dukje se kjo shkelje nuk është e vetmja e regjistruar kohët e fundit. Sipas deklarimeve të tyre, shkelja e fundit e hapësirës ajrore nga një mjet rus u regjistrua më 30 korrik, kur një raketë lundruese Kh-101 ra pranë fshatit Tarnawa-Kolonia, në vojevodatin e Lublinit. Prokuroria e Lublinit njoftoi se raketa ishte prodhuar në një fabrikë në rajonin e Moskës. Në vendin e goditjes u krijua një krater me përmasa rreth 10 metra në diametër dhe 5 metra në thellësi.
Njoftimet zyrtare theksojnë reagimin e menjëhershëm të forcave të armatosura polake dhe gatishmërinë permanente të sistemeve të mbrojtjes ajrore, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin dhe hetimin e incidenteve që prekin hapësirën ajrore të vendit.

