Një raport alarmues tregon rritje të dhunës seksuale në Evropë dhe ngre shqetësime për sigurinë e grave, funksionimin e drejtësisë dhe ndikimin e krizës së emigracionit në përshkallëzimin e fenomenit. Në Greqi, incidentet e dhunës seksuale janë rritur me 145% nga viti 2010 deri në 2024, ndërsa përdhunimet kanë pësuar një rritje prej 64%. Vetëm në 2022, ankesat për përdhunim u trefishuan krahasuar me një vit më parë.
Në gjithë Bashkimin Evropian, në 2024 janë regjistruar mbi 256 mijë incidente të dhunës seksuale, prej të cilave rreth 100 mijë lidhen me përdhunime. Statistikisht, gjatë dekadës së fundit krimet seksuale në BE janë rritur me 94%, ndërsa përdhunimet me 150%. Raporti vëren gjithashtu se një në tre gra në Evropë ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale, por vetëm një në katër raste denoncohet tek autoritetet. Në Greqi, sipas të dhënave në raport, vetëm një në 24 përdhunime raportohet, çka sugjeron se përmasat reale mund të jenë shumë më të mëdha.
Sipas statistikave, Franca renditet e para në numër rastesh në Evropë, e ndjekur nga Gjermania dhe Suedia. Raporti trajton gjithashtu debatin mbi ndikimin e emigracionit dhe integrimit social, duke përfshirë të dhëna nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia për pjesëmarrjen e emigrantëve në statistikat e krimeve seksuale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se fenomeni nuk reduktohet në një shkak të vetëm.
Kriminologia Kelly Ioannou thekson se dhuna seksuale lidhet me faktorë të ndryshëm socialë, ekonomikë dhe kulturorë, përfshirë ndjenjën e pandëshkueshmërisë, frustrimin social, mungesën e edukimit mbi pëlqimin dhe normalizimin e sjelljeve abuzive. Sipas saj, rritja e rasteve të raportuara mund të reflektojë edhe ekspozimin më të madh të një fenomeni që për vite ka mbetur i fshehur, dhe jo domosdoshmërisht një shtim identik të dhunës në realitet.

