Aktori francez Gerard Depardieu dhe shkrimtari Michel Houellebecq janë në qendër të një hetimi gjyqësor të hapur nga Prokuroria e Parisit për dyshime për përdhunim në grup dhe sulme seksuale. Hetimi nisi pas një kallëzimi të depozituar më 12 maj 2025 nga një grua, e cila pretendon se është abuzuar seksualisht gjatë xhirimeve të filmit Thalasso në vitin 2018. Filmi, me regji të Guillaume Nicloux, u publikua në vitin 2019.
Sipas kallëzimit, në kohën e incidentit gruaja ishte 32 vjeçe dhe ishte kontaktuar për të luajtur një rol në film. Ajo pretendohet se iu kërkua të interpretonte rolin e një vajze nga Europa Lindore, të përshkruar si prostitutë, dhe të kërcente topless në një dhomë hoteli ku ndodheshin Gerard Depardieu dhe Michel Houellebecq. Nga ajo që pretendon kallëzuesja, gjatë kësaj situate ajo u përball me abuzime seksuale.
Në kuadër të hetimit, Depardieu dyshohet për përdhunim në grup, ndërsa Houellebecq dyshohet se ka pasur rol si bashkëpunëtor në këtë vepër dhe akuzohet gjithashtu për sulm seksual. Hetimet po zhvillohen nga disa gjyqtarë hetues në Paris. Deri më tani, sipas raportimeve mediatike, nuk është zhvilluar asnjë marrje në pyetje, dhe asnjëri prej tyre nuk është njoftuar zyrtarisht për statusin e tij në hetim.
Prokuroria e Parisit nuk ka dhënë komente për çështjen, ndërsa as avokatët e Depardieu dhe as përfaqësuesit ligjorë të kallëzueses nuk kanë pranuar të prononcohen. Hetimi i ri rikthen në vëmendje akuzat ndaj aktorit: më 13 maj 2025 Depardieu u dënua me 18 muaj burg me kusht për sulme seksuale ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit Les Volets Verts, në vitin 2021.
Pretendimet e fundit ndaj Depardieu dhe Houellebecq mbeten objekt i procesit hetimor, ndërsa procedurat vazhdojnë nën hetimin e dijshëm të autoriteteve gjyqësore në Paris.
