Kandidati demokrat për Senatin federal në Maine, Graham Platner, ka pezulluar fushatën e tij pas akuzave për sulm seksual dhe një serie skandalesh që kanë tronditur kandidaturën e tij. Vendimi erdhi pas presionit nga drejtues dhe mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët i kërkuan të tërhiqej nga gara, e cila konsiderohet kyçe për përpjekjet e demokratëve për të fituar kontrollin e Senatit në zgjedhjet e nëntorit.
Në një video të publikuar në rrjetin X, Platner mohoi akuzat, i cilësoi “të rreme” dhe tha se pezullimi i fushatës nuk është pranim faji. Ai deklaroi se vendosi të pezullonte aktivitetet pas kërcënimit se do t’i ndërpritej mbështetja politike dhe financiare. Platner tha se do të paraqesë zyrtarisht kërkesën për t’u tërhequr vetëm pasi të sigurohet që zëvendësimi i tij do të përzgjidhet përmes një procesi “të hapur, transparent dhe demokratik”. Sipas ligjit të Maine, tërheqja duhet formalizuar deri më 13 korrik që emri i kandidatit të ri të figurojë në fletën e votimit.
Gara për Senatin në Maine është e rëndësishme për demokratët, të cilët synojnë të marrin shumicën në Senat. Për ta arritur këtë, partia duhet të fitojë mandatin që aktualisht mbahet nga senatorja republikane Susan Collins, të ruajë vendet ekzistuese dhe të sigurojë fitore në shtete të tjera konkurruese.
Platner, fermer gocash deti dhe veteran ushtarak, ishte shfaqur si favoriti për nominimin demokrat, me një platformë progressive që përfshinte kujdes shëndetësor universal dhe strehim më të përballueshëm. Ai kishte marrë mbështetjen e senatorëve Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren; kundërshtarja e tij për nominimin, guvernatorja Janet Mills, kishte pezulluar fushatën.
Kandidatura e tij u godit nga polemika të ndryshme: raporte për një tatuazh që i ngjante një simboli nazist, postime të vjetra në Reddit me komente kontroverse për viktimat e sulmeve seksuale (për të cilat ai kërkoi falje), dhe raportime të “The New York Times” se ai kishte shkëmbyer mesazhe seksuale me gra gjatë martesës, të cilat ai i pranoi. Po ashtu, NYT publikoi dëshmi nga tre ish-partnere që e akuzuan për sjellje agresive dhe të paqëndrueshme. Pas akuzës për sulm seksual, disa mbështetës të rëndësishëm në Kongres dhe komitetet demokratike tërhiqen mbështetjen dhe ndërprenë financimin e kandidaturës së tij.

