Dy persona të aksidentuar në ngjarjen e ndodhur më 30 qershor, kur autobusi i linjës Berat–Tiranë u përplas në autostradë, janë dërguar në Greqi për trajtim të specializuar, pasi pësuan dëmtime të rënda. Viktimat janë nëna dhe bija Floresha Lazaj, 51 vjeçe, dhe Oriada Lazaj, 27 vjeçe.
Sipas të dhënave, 51-vjeçarja ka humbur njërën këmbë si pasojë e plagëve të marra. E bija, 27-vjeçarja, gjithashtu ka humbur njërën këmbë dhe ka dëmtime serioze në këmbën tjetër, të cilat rrezikojnë dëmtim të mëtejshëm nëse nuk i nënshtrohet menjëherë një ndërhyrjeje në një spital të specializuar për trauma të rënda. Përveç dëmtimit të ekstremiteteve, 27-vjeçarja ka pësuar fraktura në pjesën e kofshës dhe të legenit, çka bëri të nevojshëm transferimin jashtë vendit për trajtim më të avancuar mjekësor.
Familjarët deklaruan se vendimi për transportin drejt Greqisë u mor për shkak të nevojës për ndërhyrje të specializuara që nuk mund të realizoheshin në vend. Ata bënë me dije se të dyja kanë kaluar rrezikun e menjëhershëm për jetën, por gjendja e tyre mbetet shumë serioze dhe kërkohet një seri ndërhyrjesh për të trajtuar traumat dhe frakturat e shumta.
Në mesazhin e familjarëve theksohet se mundësitë e tyre financiare janë të kufizuara dhe kërkohet ndihmë, pasi pas dëmtimeve të marra ato nuk do të kenë më mundësi për një jetë normale si më parë, por synimi është të kurohen plagët dhe të marrësh trajtimin e nevojshëm për të minimizuar pasojat.

