Spitali Universitar i Traumës njofton për gjendjen shëndetësore të të plagosurve nga aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë–Durrës. Pesë pacientë, të cilët ditën e djeshme paraqiteshin të vetëdijshëm dhe më të stabilizuar, u trajtuan sipas protokolleve përkatëse mjekësore dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut. Po ashtu, pritet që gjatë ditës të lirohet edhe një pacient tjetër, gjithashtu jashtë rrezikut për jetën dhe me rekomandim nga stafi mjekësor.
Në Reanimacionin e Spitalit Universitar të Traumës vazhdojnë të qëndrojnë pacientë në monitorim intensiv. Një i mitur 8-vjeçar ndodhet në këtë repart me parametrat jetësorë të qëndrueshëm. Në të njëjtin repart është edhe një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeçe, e cila po mbahet nën monitorim intensiv; ajo raportohet me parametra jetësorë të stabilizuar, por me gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve të shumta të marrë.
Një fëmijë 14-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në pavion nën kujdesin e stafit mjekësor; ai ka pësuar dëmtime në gjymtyrët e poshtme. Për pacientët që aktualisht janë ende nën observim në Urgjencë dhe që janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, Spitali njofton se gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar. Këta pacientë do të vazhdojnë qëndrimin nën monitorim intensiv për të vijuar vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm.
Mes pacientëve në monitorim intensiv përfshihet gjithashtu një shtetase çeke me origjinë vietnameze, 20 vjeçe, e cila i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe po qëndron nën vëzhgim të vazhdueshëm. Spitali thekson se trajtimet janë kryer sipas protokolleve mjekësore dhe se vendimet për largim apo vazhdimin e kujdesit merren me rekomandim të stafit mjekësor.

