Dhjetëra qytetarë marshuan pasditen e sotme në rrugët e Durrësit, si reagim ndaj aksidentit tragjik të tre ditëve më parë që i mori jetën dy fëmijëve dhe la të plagosur rëndë një tjetër të mitur. Marshimi nisi nga Spitalla, vendi i ngjarjes, dhe bëri dy ndalesa kryesore: Drejtorinë e Policisë Durrës dhe Bashkinë e Durrësit.
Protestuesit marshuan me pankarta dhe fotografi të fëmijëve të humbur, duke kërkuar më shumë siguri dhe kontrolle nga ana e policisë në rrugët e zonave të banuara për të parandaluar aksidente të ngjashme. Ata iu drejtuan jo vetëm institucioneve ligjzbatuese, por edhe drejtuesve të automjeteve, duke kërkuar përgjegjshmëri dhe kujdes gjatë qarkullimit në rrugë dhe lagje. Në shenjë kujtimi, pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe lëshuan balona të bardha, ndërsa dhanë mesazhe për viktimat.
Sipas raportimit, drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin, Nikoll Radaçi, po drejtonte nën efektin e alkoolit në momentin e përplasjes. Banorët thanë se e kishin denoncuar disa herë sjelljen e tij në polici për shkak të rrezikut që paraqiste në rrugë. Gjatë protestës, një nga pjesëmarrësit, i afërm i njërit prej viktimave, akuzoi institucionet për mosmbrojtje të qytetarëve dhe për mbrojtje të “keqbërësve pijanecë”, duke kërkuar përgjegjësi nga shteti, policia, gjykatat dhe prokuroria.
Protestuesi theksoi gjithashtu mungesën e hapësirave të duhura për lojë të fëmijëve në zonë, duke kërkuar krijimin e lodrash dhe parqeve të mjaftueshëm për të parandaluar që fëmijët të dalin në rrugë. Ai akuzoi policinë se, ndonëse banorët kanë bërë ankesa, autorët shpesh merren, futen brenda dhe më pas lirohen shpejt, si dhe për ryshfete që lejojnë vazhdimin e sjelljeve rrezikuese. Si kërkesë konkrete u bë thirrje për zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe për përgjegjësi më të madhe të institucioneve lokale dhe qendrore.
Ngjarja dhe marshimi u mbajtën në atmosferë përkujtimore dhe protestuese, ndërsa qytetarët kërkuan veprime të menjëhershme për rritjen e sigurisë rrugore dhe për parandalimin e tragjedive të ardhshme. Top Channel.

