Një aksident fatal me një viktimë ndodhi ditën e sotme në rrugën nacionale Çermë–Divjakë, në fshatin Çermë Shkumbin, ku u përplasën kokë më kokë dy mjete, një BMW dhe një Opel. Nga përplasja humbi jetën 39-vjeçari që udhëtonte me Opel, i identifikuar si Barjam Kacani, baba i tre fëmijëve.
Nga aksidenti u plagosën pesë persona që ndodheshin në BMW; ndër ta janë tre fëmijë. Autoritetet raportuan se të lënduarit, përfshirë fëmijët, janë jashtë rrezikut për jetën. Të plagosurit u dërguan me ambulancë në spitalin e Lushnjës për trajtim mjekësor.
Policia e qarkullimit rrugor ka dokumentuar ngjarjen dhe po kryen veprimet e para hetimore në vendin e aksidentit. Një grup pune nën drejtimin e prokurorisë po punon për zbardhjen e shkaqeve të përplasjes dhe për të përcaktuar rrethanat që çuan deri te tragjedia.

