Pa bujë, pa ceremoni të gjera mortore, familjarët e ngushtë të Rexhep Qoses e kanë përcjellë atë sot drejt banesës së fundit. Akademiku Rexhep Qosja u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një pasuri veprash shkencore dhe letrare.
Qosja lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të shkollës i kreu në Vuthaj, gjysmëmaturën në Guci; më 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, dhe më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve akademike 1967/68 specializoi shkencën e letërsisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor, ndërsa në 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972 u zgjodh bashkëpunëtor i lartë dhe më pas këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor i jashtëzakonshëm e më vonë profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Ai ishte drejtor i Institutit Albanologjik nga 1972 deri më 1981, shef i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974–1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.
Qosja është autor i mbi tridhjetë librave, përfshirë studime për letërsinë, kritikë letrare, prozë, tregime, romane, drama, publicistikë dhe shkrime polemike. Disa nga titujt e tij janë Episode letrare (1967), Antologjia e lirikës shqipe (1970), Asdreni – jeta dhe vepra (1972), Anatomia e kulturës (1976), Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi (1984–1985), Një dashuri dhe shtatë faje (2001) dhe Bijtë e askujt (2010). Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave të tij në 29 vëllime, të ndara në pesë cikle: veprat historiko-letrare, veprat letrare, veprat historike dhe historiko-dokumentare, veprat publicistike dhe veprat polemike.
Për krijimtarinë e tij është çmuar me disa shpërblime, përfshirë Shpërblimin e qytetit të Prishtinës (1968), Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit (1969), dy shpërblime të SHSH të Kosovës (1972, 1974), Shpërblimin e RS të Serbisë “7 Korriku” (1975) dhe Çmimin “Pjetër Bogdani” (2010) për romanin Bijt e askujt. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Gjatë periudhës 1998–2000 ishte i angazhuar edhe në veprimtari politike, duke drejtuar një parti në Kosovë; në vitin 2000 mori dekoratën “Nderi i Kombit” nga kryetari i Republikës së Shqipërisë.















