Kyrylo Budanov, ish-kreu i inteligjencës ushtarake HUR dhe aktualisht shef i zyrës presidenciale të Volodymyr Zelensky, deklaron se Kremlini vazhdon të tentojë ta eliminojë, pavarësisht se ai është negociatori kryesor i Ukrainës për përfundimin e luftës. Gjenerali 40-vjeçar, që drejtori HUR nga 2020 deri në fillim të këtij viti, thotë se kërcënimet ndaj jetës janë bërë pjesë normale e punës; sipas mediave ukrainase ai ka mbijetuar të paktën dhjetë atentate dhe konsiderohet një nga figurat qendrore të rezistencës ndaj Rusisë.
Budanov njihet për drejtimin e operacioneve sekrete dhe aksioneve speciale kundër forcave ruse, përfshirë sulme në Krime dhe territore të pushtuara. Ai ka marrë titullin “Hero i Ukrainës” dhe raportohet të ketë marrëdhënie të ngushta me CIA-n amerikane. Megjithë rolin e ri diplomatik, Budanov thotë se Rusia e sheh akoma si objektiv kryesor; ai thekson se “për të rëndësi ka vetëm rezultati i negociatave dhe jo besimi ndaj palës tjetër. Nuk kam nevojë t’i besoj askujt, duhet të arrij rezultat”, por shpreh edhe besimin se procesi diplomatik mund të çojë drejt përfundimit të luftës.
Eksperienca e tij në inteligjencë i shërben bisedimeve, pasi ai pretendohet të ketë kontakte dhe burime brenda Rusisë, njohje të figurave kyçe ruse, mënyrës së funksionimit të Kremlinit dhe “vijave të kuqe” të negociatorëve. Ai nënvizon se gjatë kohës në HUR ngriti rrjete komunikimi të fshehta për shkëmbimin e të burgosurve, kanale që po përdoren edhe tani. Sidoqoftë, nuk ka ende datë për rifillimin e bisedimeve, pasi shkëmbimi i planifikuar i të burgosurve gjatë armëpushimit të Ditës së Fitores nuk u realizua.
Budanov paralajmëron se Rusia mbetet kërcënim serioz ushtarak dhe ka aftësinë për sulme bërthamore në çdo moment; sipas tij arsenali bërthamor rus është real dhe i rrezikshëm, por në këtë fazë nuk ka prova konkrete se Moska po përgatit një sulm. Ai konfirmon se shumë atentate ndaj tij janë mbajtur sekret; SBU raportoi në 2024 një plan për të goditur eskortën e tij me raketa balistike dhe përdorim dronësh kamikazë, me përfshirje të zyrtarëve ukrainas që bashkëpunonin fshehurazi me Moskën.
Budanov raporton edhe raste të tjera: dyshimet për helmimin e bashkëshortes së tij, Marianna, me metale të rënda që Ukraina ia atribuon Rusisë, dhe një bombë në 2019 nën makinën e tij që shpërtheu para kohe, duke lënduar agjentin rus që e kishte vendosur. Ai foli gjithashtu për zhvillimin teknologjik ushtarak të Ukrainës: dronët inteligjentë dhe sistemet autonome pritet të kenë rol vendimtar; Ukraina ka prototipe dronësh autonomë dhe po zgjeron sulmet me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike dhe naftës ruse. Sipas tij, vendi po kalon nga përfituese e ndihmës perëndimore në eksportuese të teknologjisë dhe eksperiencës, dhe është gati të ndajë njohuritë, veçanërisht në mbrojtje ajrore dhe luftë me dronë.
Në planin e brendshëm politik, Budanov u distancua nga ish-shefi i zyrës presidenciale Andriy Yermak pas hetimeve për korrupsion dhe premtoi një drejtim me më shumë përgjegjësi për vartësit dhe më pak kontroll të centralizuar. Ai mbrojti vazhdimin e mobilizimit ushtarak, duke deklaruar se “Po zhvillohet një luftë totale ku marrin pjesë miliona njerëz. Nuk ka rrugë tjetër, përndryshe vendi do të bjerë.”

