Donald Trump është në gjendje arresti. Nuk do të prangoset, por do të i shoqëruar nga policia në pritje të gjyqit që do të nisës në orën 14.15, ora 20.15 në Shqipëri.
Fillimisht ish-presidentit do ti merren gjurmët e gishtave, por nuk është e qartë nëse do t’i shkrepen fotot e arrestimit. Ndërkohë, qindra njerëz janë mbledhur përpara gjykatës së Mahnatanit.
Çfarë ka ndodhur?
Dita e parë e këtij procesi pritet të jetë e shkurtër – zotit Trump do t’i merren shenjat e gishtave, ai do të mësojë aktakuzën e plotë kundër tij dhe pritet të deklarohet i pafajshëm.
Republikani Donald Trump do të bëhet ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale.
Policia e Nju Jorkut është gati për protesta të mundshme nga ana e mbështetësve të Trump, të cilët besojnë se aktakuzat kundër tij, janë të motivuara politikisht dhe synojnë të dobësojnë përpjekjet e tij për rikthimin në Shtëpinë e Bardhë më 2024.
Ish-presidenti 76 vjeçar e ka ushqyer këtë bindje të mbështetësve të tij dhe është munduar ta shfrytëzojë këtë situatë në avantazhin e tij politik, duke deklaruar se ka mbledhur 8 milionë dollarë në më pak se një javë nga aktakuza, të cilën ai e quan “gjueti shtrigash”.
Në sallën e gjyqit në Manhatan, prokurorët, nën drejtimin e prokurorit të qarkut të Nju Jorkut, demokratit Alvin Bragg, do të lexojnë aktakuzën e lëshuar javën e kaluar nga juria e madhe.
Ky është momenti kur Trump dhe avokatët e tij mbrojtës do të mësojnë akuzat e plota kundër ish presidentit.
Më pas, ish presidenti pritet të lirohet.
Hetimet janë bazuar në pagesat e kryera në ditët e fundit të fushatës së tij presidenciale më 2016, në adresë të aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish modeles së kompanisë “Playboy”, Karen McDougal.
Të dyja thonë se kanë kryer marrëdhënie seksuale me zotin Trump.
Ish presidenti mohon të ketë pasur marrëdhënie me to, ose se ka paguar për të blerë heshtjen e tyre.
Megjithëse prokurorët këmbëngulin vazhdimisht se asnjë person nuk është mbi ligjin, ngritja e kallëzimeve penale kundër një ish presidenti ka vështirësi logjistike.
Procesi në Nju Jork do të jetë një provë e rëndësishme, ndërsa prokurorët në Atlanta dhe Uashington po kryejnë hetime që mund të pasohen me akuza të reja kundër zotit Trump.
Këto hetime kanë të bëjnë me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago.
Udhëheqësit republikanë, duke përfshirë rivalët e mundshëm të zotit Trump brenda partisë për zgjedhjet presidenciale të 2024, e kanë kritikuar procesin gjyqësor kundër tij.
Presidenti Biden, i cili ende nuk ka deklaruar nëse do të rikandidojë dhe udhëheqësit demokratë, nuk kanë folur shumë për këtë rast.
Prokurorët këmbëngulin se procesi gjyqësor kundër zotit Trump nuk ka të bëjë me politikën.
Zoti Trump pritet që sot në mbrëmje të kthehet në rezidencën e tij në “Mar-a-Lago” në Florida, ku do to të mbajë një konferencë para të paktën 500 mbështetësve të njohur të tij. Në mesin e të ftuarve janë edhe disa nga republikanët më pro-tij në Kongres.
Dënimi nuk do ta pengonte zotin Trump të kandidojë ose fitojë garën presidenciale të vitit 2024.