Një rast diskriminimi u konstatuar në zyrën vendore arsimore të Kamzës ndaj babait të një vajze në klasë të dytë, të cilit i është hequr e drejta e aksesit në regjistrin online SMIP pas divorcit. Ankuesi me iniciale A.K. i është drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke pretenduar se gjatë vitit shkollor 2025–2026 i është ndaluar përdorimi i platformës digjitale për vajzën. Shkolla ka deklaruar se aksesi në SMIP i është ndërprerë babait prej datës së vendimit të Apelit për zgjidhje martesore, me arsyetimin se ai “nuk ka kujdestarinë ligjore” dhe se sistemi nuk pranon prindin që nuk ka kujdestari.
Ankuesi pohon se ndërprerja e aksesit është bërë vetëm për shkak të ndryshimit të statusit të tij nga “i martuar” në “i divorcuar”, duke përbërë trajtim të pabarabartë dhe diskriminim. Ai thekson se zgjidhja e martesës nuk ia heq apo kufizon përgjegjësinë prindërore dhe se nuk ekziston vendim gjykate që ta ketë ndaluar interesimin për arsimimin e vajzës apo aksesin në SMIP.
Pas analizimit të dokumentacionit dhe mbajtjes së seancës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, më 2 tetor, konstatoi formën e rëndë të diskriminimit dhe vendosi marrjen e masave për rregullimin e pabarazisë dhe për moskushtëzimin e dhënies së informacionit arsimor për fëmijën. Në vendimin e zbardhur shpjegohet se, në rast se marrëdhënia me ish-bashkëshorten ia pamundëson informimin e drejtpërdrejtë, “SMIP mbetet burimi i vetëm ligjor që ai të mos përjashtohet nga jeta dhe edukimi i vajzës së tij”.
Dokumentacioni i siguruar nga Top Channel tregon se ankuesi ka dërguar shqetësime edhe pranë Ministrisë së Arsimit, Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Drejtorisë Rajonale të Tiranës, përveç ankesave në zyrën vendore të Kamzës. Ai pretendon se këto institucione, me indiferencë dhe mosveprim, kanë lejuar praktikën e ndaluar të aksesit dhe janë bërë palë në diskriminim. Top Channel.

