Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur që Endrit Azemi, i dyshuar për mashtrim me pretendimin se vuante nga Leuçemia Akute dhe se kishte nevojë për kurim jashtë vendit, të qëndrojë në paraburgim për një muaj. Prokuroria thotë se Azemi dyshohet të ketë përfituar mbi 190 mijë euro përmes një fushate për mbledhjen e fondeve, me pretendimin se paratë do të përdoren për trajtimin e sëmundjes së tij.
Sipas hetimeve, mbi 160 mijë euro janë mbledhur përmes platformës online GoFundMe, ndërsa më shumë se 26 mijë euro janë siguruar nga aktivitete për grumbullimin e donacioneve në qendër të Gjilanit. Në këto aktivitete dyshohet se kanë ndihmuar edhe familjarë dhe persona të tjerë. Nga dosja e Prokurorisë rezulton se të paktën 10 dëshmitarë kanë dijeni për veprimtarinë e dyshuar të mashtrimit.
Familjarët e të dyshuarit pretendojnë se edhe ata kanë qenë të bindur se Endriti vuante nga leukemia. Vëllai i tij, Gzim Azemi, ka deklaruar se ka parë dokumente mjekësore, të cilat, sipas tij, përmbanin vula dhe informacione për trajtimet që Endriti pretendonte se kishte kryer. Gzim ka bërë të ditur gjithashtu se paratë e mbledhura përmes GoFundMe kanë nisur t’u kthehen dhuruesve, ndërsa fondet e grumbulluara në Gjilan ndodhen të bllokuara nga policia. Ai ka bërë thirrje që personat që kanë kontribuar dhe kërkojnë kthimin e parave t’i drejtohen policisë.
Pas publikimit të rastit, familjarët e Endrit Azemit thonë se janë përballur me fyerje dhe kërcënime nga qytetarët, dhe për këtë arsye i kanë kërkuar ndihmë Policisë së Kosovës, duke theksuar se nuk kanë pasur dijeni për mashtrimin e dyshuar. Nga hetimet dyshohet që më 9 nëntor 2026 Endrit Azemi, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, ka sajuar një ngjarje të rreme duke pretenduar se ishte prekur nga Leuçemia Akute dhe ka hapur fushatë në GoFundMe, si dhe ka zhvilluar aktivitete për mbledhjen e parave në Kosovë dhe në diasporë me pretendimin se fondet do të përdoren për kurim dhe rehabilitim.

