Cristiano Ronaldo realizoi golin e tij të 986-të, por Al-Nassr pësoi një humbje 3-1 në transfertën ndaj Al-Ahli-t në ndeshjen e prapambetur të javës së 9-të të Saudi Pro League. Takimi kishte dy fytyra për portugezin: në minutën e 14-të, pas një topi të rikuperuar nga Samú Costa, Ronaldo shënoi përballë portierit kundërshtar, duke u afruar 14 realizime larg shifrës historike prej 1000 golash. Katër minuta më vonë, ai gjeti shtyllën nga pika e bardhë, duke humbur një penallti; ishte i gjashti gabim i tij nga 11 metrat që prej ardhjes në Arabinë Saudite.
Shpërdorimi i penalltisë nxiti Al-Ahli-n, që barazoi në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Galeno shënoi me një goditje të fuqishme nga distanca, pas asistit të Ivan Toney-t. Në pjesën e dytë vendasit morën nën kontroll lojën dhe ndryshuan rrjedhën e takimit me dy gola brenda vetëm katër minutash.
Në minutën e 71-të, pas rishikimit me VAR për një kontakt në zonë me Merih Demiral, arbitri akordoi penallti që Ivan Toney realizoi saktë nga pika e bardhë, duke përmbysur rezultatin. Vetëm katër minuta më pas, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Eduard Spertsyan dhe një devijimi të Galenos, Roger Ibañez dërgoi topin në rrjetë me kokë, për të vulosur fitoren 3-1 të Al-Ahli-t.
Humbja përbën një goditje për ambiciet e Al-Nassr-it në garën për titull; skuadra mbetet në vendin e tretë me 28 pikë. Al-Hilal kryeson renditjen me 30 pikë dhe një ndeshje më pak, duke lënë Al-Nassr-in pa mundësinë për t’u afruar me kreun. Tani, Ronaldo dhe bashkëlojtarët duhet t’i kthejnë vëmendjen te ndeshja e radhës: më 24 nëntor, të martën, Al-Nassr do të presë Al-Sadd në kuadër të AFC Champions League Elite.

