Italia do të përballet me një ditë greve të përgjithshme të premten, më 20 nëntor 2026, që do të prekë sektorin publik dhe atë privat, duke shkaktuar ndërprerje dhe vonesa në arsim, shëndetësi, administratë publike dhe shërbime të tjera. Grevën e ka thirrur Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL), e cila do të organizojë protesta në 100 qytete me sloganin “E ardhmja është tani”, ndërsa në mobilizim do të marrin pjesë edhe organizata të tjera sindikale. CGIL ka theksuar se do të garantojë shërbimet thelbësore. Në qendër të protestës është rritja e kostos së jetesës dhe, sipas sindikatës, mungesa e masave të efektshme nga qeveria për ta përballuar këtë situatë.
Sindikatat kërkojnë rritje pagash dhe rinovim kontratash pune për të kompensuar inflacionin, pensione dinjitoze, një sistem taksash më të drejtë, dhe më shumë investime në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale. Kërkohen gjithashtu mbrojtja e vendeve të punës, lufta ndaj pasigurisë në punësimin e të rinjve, përmirësimi i sigurisë në vendet e punës dhe garantimi i të drejtës për arsim dhe strehim.
Sektori i arsimit pritet të preket rëndë: greva do të përfshijë personelin e institucioneve arsimore të të gjitha niveleve, universitetet dhe institucionet kërkimore. Në varësi të pjesëmarrjes, mund të ketë ndryshime në oraret mësimore, pezullim të orëve dhe vështirësi në organizimin e shërbimeve shkollore.
Transporti hekurudhor mund të ketë anulime dhe vonesa. Grupi Ferrovie dello Stato njoftoi se, për shkak të grevës së shpallur nga sindikatat autonome SGB dhe CUB Trasporti, mund të ketë ndërprerje nga ora 21:00 e së premtes, 20 nëntor, deri në orën 20:00 të së shtunës, 21 nëntor 2026. Greva mund të prekë punonjësit e Grupit FS, Trenitalia, Trenitalia Tper dhe Trenord. Për trenat rajonalë do të garantohen shërbimet thelbësore në oraret 06:00–09:00 dhe 18:00–21:00. Autoritetet paralajmëruan se ndryshime mund të ndodhin edhe përpara nisjes zyrtare ose pas përfundimit dhe u rekomandojnë pasagjerëve të kontrollojnë oraret në faqet zyrtare.
Përveç CGIL, më 20 nëntor është shpallur edhe një grevë e përgjithshme nga konfederata Cobas, së bashku me Clap dhe Sial, që do të zgjasë gjatë gjithë ditës për sektorët publikë dhe privatë, me përjashtim të transportit. Kërkesat e tyre përfshijnë rikthimin e fuqisë blerëse të pagave dhe pensioneve, vendosjen me ligj të një page minimale dhe shkurtimin e përgjithshëm të orarit të punës. Njëkohësisht, e premtja shënon Ditën Ndërkombëtare të Mobilizimit të Studentëve, me aktivitetet protestuese në qytetet italiane.

