Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar një njoftim sigurie, duke kërkuar nga qytetarët amerikanë që të tregojnë vigjilencë të shtuar me afrimin e sezonit të festave të fundvitit. Në njoftim, ambasada këshillon kujdes ndaj mjedisit përreth dhe zbatim të masave të sigurisë personale, veçanërisht në ambiente publike ku priten grumbullime të mëdha njerëzish.
Ambasada paralajmëron se festivalet, aktivitetet festive dhe eventet publike mund të paraqesin objektiva të mundshme për grupet terroriste dhe personat e përfshirë në veprimtari kriminale. Theksohet se sulmet terroriste, përfshirë ato të kryera nga individë të vetëm, mund të ndodhin pa paralajmërim ose me pak sinjale paraprake. Si vende më të ekspozuara përmenden tregjet, nyjet e transportit, qendrat tregtare, objektet fetare dhe hapësirat e tjera publike.
Qytetarëve amerikanë u kërkohet të tregojnë kujdes të veçantë gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet festive dhe në zonat turistike me frekuentim të lartë, si dhe të ndjekin udhëzimet e policisë dhe shërbimeve të emergjencës. Njoftimi paralajmëron gjithashtu për mundësinë e ndërprerjeve të transportit dhe të jetës së përditshme në vende të ndryshme të Evropës gjatë sezonit të festave, duke vënë në dukje se grevat dhe protestat janë shpeshtuar muajt e fundit.
Një tjetër shqetësim i përmendur janë kërcënimet e rreme për bomba, të cilat gjatë muajit nëntor kanë goditur aviacionin civil në disa vende evropiane dhe kanë shkaktuar vonesa dhe ndërprerje të fluturimeve. Për këtë arsye, ambasada këshillon që qytetarët që udhëtojnë jashtë vendit të ndjekin rregullisht mediat lokale për t’u informuar mbi zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë, transportin dhe lëvizjen e tyre.
Në përfundim, ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë që ndodhen jashtë SHBA-së të regjistrohen në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP) për të marrë njoftime dhe përditësime mbi sigurinë në vendet ku udhëtojnë ose qëndrojnë. Njoftimi është lëshuar në prag të festave të fundvitit, periudhë kur rritet numri i udhëtimeve dhe aktivitetet publike në Evropë.

