Kryeministri Edi Rama takoi ekspertët e AKSHI-t të angazhuar në konfigurimin e platformës “Pasqyrë Albania” për t’u njohur me funksionalitetet dhe risitë që sjell. Platforma do të jetë e aksesueshme nga kompjuteri dhe telefoni, ndërsa në ditët në vijim pritet të mundësojë komunikimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionet. Sipas Ramës, sistemi do të integrojë gradualisht inteligjencën artificiale për të përshpejtuar marrjen e informacionit dhe trajtimin e kërkesave të qytetarëve.
Eksperti i AKSHI-t bëri të ditur se një seksion i është dedikuar pasqyrimit të të gjithë web site-ve të ministrive dhe institucioneve, ku qytetarët do të kenë mundësi të kontaktojnë direkt institucionin dhe të informohen mbi të gjithë informacionin lidhur me të. Rama tha se çdo institucion do të jetë në këtë Pasqyrë, e cila përmbledh “të gjithë shtetin, të gjitha dritaret dhe dyert e shtetit” në një pasqyrë dixhitale të celularit ose kompjuterit. Me një klik qytetari i lehtësohet shkuarja tek dritarja apo trokitja tek dera që ka interes, duke thjeshtuar marrëdhënien me administratën, duke ekspozuar administratën dhe synuar që institucionet të jenë në dispozicion, në kohë sipas afateve ligjore dhe me transparencë të plotë.
AKSHI ka bërë të mundur që Pasqyrën ta instalojnë si aplikacion në Android dhe iOS, si dhe si aplikacion në desktop; qytetarët mund ta shkarkojnë drejtpërdrejt nga web-i. Rama përmendi se edhe e-Albania është pjesë e pasqyrës, pra çdo gjë është brenda saj.
Eksperti shtoi se në ditët në vijim do të krijohet një dritare komunikimi të drejtpërdrejtë të qytetarit me çdo institucion, jo vetëm përmes chatbot, por drejtpërdrejt me institucionin përkatës. Shembulli i dhënë ishte një pensionist që kërkon informacion nga ISSH-ja dhe që do të komunikojë në kohë reale me një person të caktuar nga institucioni që jep përgjigjen. Kjo do të lejojë gjurmimin e ankesave dhe marrjen e informacionit mbi nevojën e qytetarit para se të formulohet ankesë.
Rama tha se kjo edhe do të trajnojë agjentët e inteligjencës artificiale që më pas mund të bëjnë ndërveprimet pa nevojën e njeriut, duke rritur shpejtësinë e funksionimit të sistemit pas një periudhe stërvitjeje. Ai e lidhi Pasqyrën me reflektimin mbi protestën e “flamingove” të fillim qershorit, duke shtuar se pjesa tjetër është histori tjetër që nuk do të përzihet me Pasqyrën.

