Edhe pse Ligji për Reformën Territoriale 0.2 u miratua në Parlament dhe mund të shfuqizohet vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike ka vijuar hartimin e draftit të saj për reformën territoriale. Pr/ligji i propozuar nga PD, i cili tashmë ka mbërritur në bashkitë e vendit, parashikon krijimin e 100 bashkive dhe 12 qarqeve. Materialet janë dërguar gjithashtu te institucione të tjera, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
PD njofton se ka konstatuar shkelje në procesin e konsultimeve. Sipas saj, nisma zyrtare për konsultimet nisi me shkresën Nr. 3573 të Parlamentit, të datës 31 korrik 2026. Bashkitë përkatëse, si p.sh. Bashkia Cërrik dhe Lushnje, e protokolluan këtë shkresë në fillim të gushtit dhe njoftuan zyrtarisht një afat konsultimi prej 60 ditësh, afat i cili ligjërisht duhet të zgjaste deri më 30 shtator 2026. Për të marrë mendimet e pushtetit vendor, PD thotë se u kërkohet këshillave bashkiakë dhe këshillave të qarqeve të shprehin mendimin e tyre për pr/ligjin brenda këtyre 60 ditëve.
Partia Demokratike thekson obligimet e parashikuara në Ligjin Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, sipas të cilit organet ligjvënëse janë të detyruara të lejojnë kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e nismave, të mbledhin të gjitha rekomandimet dhe t’u kthejnë përgjigje të argumentuara komuniteteve për pikat që pranohen ose refuzohen.
PD vlerëson se pavarësisht se ligji dhe njoftimet e bashkive specifikojnë se procesi i konsultimit zgjat deri në fund të shtatorit, Partia Socialiste e përfshiu projektligjin në kalendarin e punimeve të Kuvendit që në mes të shtatorit. Duke caktuar votimin në parim në Komisionin e Ligjeve për datën 29 shtator dhe votimin final në seancë plenare për datën 8 tetor, PD thotë se mazhoranca e kthyer procesin e konsultimit në një formalitet.

