Marash Kumbulla vë në vështirësi trajnerin Beñat San José pas paraqitjes së shkëlqyer në debutimin e tij me Rayo Vallecano në sfidën ndaj Recreativo Huelva, të enjten më 27 tetor, që skuadra madrilene e fitoi 3-2 pas kohës shtesë. Kur dukej se dyshja në qendër të mbrojtjes do të ishte tashmë Lejeune dhe Mujaid, qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare hyri në lojë dhe la përshtypje shumë të mira.
Kumbulla ishte i fundit nga transferimet e verës që debutoi dhe qëndroi në fushë për 80 minuta, duke u shfaqur i besueshëm në mbrojtje dhe vendimtar në sulm. Në Nuevo Colombino ai shfaqi cilësitë e tij më të mira, shërbeu si një urë lidhëse mes mbrojtjes dhe sulmit, realizoi në total 5 kontribute difensive dhe i fitoi të gjithë duelet (5/5). Në një nga aksionet për të nxjerrë topin nga zona u përfshi në sulm dhe fitoi penalltinë që Alemao e shndërroi në gol për të barazuar 1-1.
Pas përfundimit të ndeshjes, Kumbulla u shfaq shumë i kënaqur me lojën e skuadrës dhe me formën e tij, duke thënë: ‘Jam shumë i lumtur për fitoren, ishte shumë e rëndësishme që të kalonim në raundin tjetër’ — dhe për formën: ‘ndihem shumë mirë fizikisht dhe dua të jap gjithçka që të arrijmë objektivat sepse tifozët tanë e meritojnë. Jam plotësisht në dispozicion të trajnerit dhe kur ai të ketë nevojë për mua, do të jem i përgatitur’.
Sezonin e kaluar, dyshja më e përdorur në qendër të mbrojtjes te Rayo ishte Lejeune dhe Pathé Ciss. Me ardhjen e Mujaid dhe Kumbullës, trajneri Beñat e ktheu senegalezin në pozicionin e tij natyral dhe ia besoi qendrën e mbrojtjes Mujaid. Megjithatë, pas debutimit të Kumbullës dhe minutave pozitive të Pelayo, konkurrenca për vendet në qendrën e mbrojtjes është bërë më e fortë se kurrë.

