Trupi i pajetë i një burri u gjet në një pus rreth 10 metra të thellë në zonën e Felloniche, në komunën Longiano, provinca Forlì-Cesena, Itali. Prokuroria e Forlì-t ka hapur hetimet për vrasje, ndërsa një nga pistat kryesore është ekzekutimi me armë zjarri. Viktima dyshohet të jetë një 31-vjeçar shqiptar, identifikuar në media si Denaldo Maxhallakui, i zhdukur prej disa javësh, por kjo identifikim ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Trupi u zbulua mëngjesin e së mërkurës, më 28 tetor, rreth orës 10:00, në një pus pranë një banese fshati përgjatë rrugës provinciale 85, që lidh Savignano sul Rubicone me zonën e Felloniche. Në vendngjarje, pranë pusit janë gjetur disa gëzhoja pistolete, të cilat po shqyrtohen nga hetuesit për të përcaktuar nëse lidhen me ngjarjen.
Dyshimet për identitetin e viktimës forcohen pasi 31-vjeçari shqiptar frekuentonte zonën ku u gjet trupi. Rreth tri javë më parë makina e tij ishte gjetur plotësisht e djegur disa kilometra larg, përgjatë rrugës Fondovalle del Rubicone, çka shton interesin e hetuesve për lidhjen mes zhdukjes, makinës së djegur dhe trupit të gjetur në pus.
Zbulimi i trupit erdhi pas verifikimeve në pus, ku dyshohej se mund të kishte diçka brenda. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga mediat italiane, hedhja e një guri në pus dhe mungesa e zhurmës së zakonshme të kontaktit me ujin ngritën dyshime që çuan në kontrolle më të hollësishme dhe më pas në nxjerrjen e trupit.
Në vendngjarje mbërritën karabinierët e Cesenatico-s, një njësi e specializuar me qen kërkimi nga Firence, zjarrfikësit dhe mjeku ligjor. Operacioni i nxjerrjes së trupit u krye nga ekipe të specializuara për ndërhyrje në puse dhe zona të vështira.
Hetimet drejtohen nga Prokuroria e Forlì-t në bashkëpunim me karabinierët. Autoritetet po punojnë për të konfirmuar zyrtarisht identitetin e viktimës, për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes dhe për të zbardhur nëse ekziston lidhje midis zhdukjes së shqiptarit, makinës së djegur dhe trupit të gjetur. Rrethanat e plota mbeten të paqarta dhe hetimet vazhdojnë.

