Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në betejën e tij lidhur me kallëzimin të njohur si “Nesti Angoni”. Kolegji Penal zgjidhi mosmarrëveshjen e kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke urdhëruar Gjykatën e Tiranës të shqyrtojë ankimin e Veliajt.
Kryebashkiaku ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të datës 08.05.2026, me të cilin ishte vendosur mosfillimi i procedimit penal ndaj tij. Në kërkesën e tij, Veliaj kërkon gjithashtu që gjykata të urdhërojë regjistrimin e procedimit dhe kryerjen e veprimeve hetimore të nevojshme nga prokuroria. Kallëzimi i Veliajt lidhet me një dokument të firmosur nga personi që identifikohet si “Nesti Angoni”, dokument mbi bazën e të cilit ishte nisur procedimi penal kundër tij.
Në kallëzimin e dorëzuar pranë institucioneve, Veliaj përmend verifikime zyrtare që tregojnë se personi i përmendur nuk rezulton i regjistruar në regjistrat e gjendjes civile. Kjo mungesë regjistrimi është pjesë e argumentacionit të tij për sfidimin e vendimit për mosfillim procedimi.
Tani, pas vendimit të Kolegjit Penal që sqaroi çështjen e kompetencës, detyra i kalon Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vendosë nëse do të pranojë ankimin dhe nëse prokuroria duhet të vijojë me hetimet e mëtejshme. Vendimi i Gjykatës së Tiranës do të përcaktojë nëse do të regjistrohet zyrtarisht procedimi penal dhe do të kryhen veprime hetimore lidhur me pretendimet e ngritura nga Veliaj për dokumentin e firmosur nga “Nesti Angoni”.
Top Channel

