Katër shtetas shqiptarë u arrestuan nga Garda Civil e Spanjës, të akuzuar për kultivim të kanabisit, pasi në një pyll të zonës Hoya de Huesca u zbulua një plantacion i organizuar. Operacioni, sipas mediave spanjolle, u zhvillua më 17 tetor. Të ndaluarit, me moshë midis 36 dhe 50 vjeç, banonin në Barcelonë dhe ishin duke qëndruar në një tendë kampingu pranë vendit të kultivimit.
Gjatë kontrollit autoritetet konstatuan 72 bimë Cannabis sativa në fazë të lulëzimit. Në zonë u gjetën gjithashtu gjurmë që tregonin se më parë kishte pasur korrje masive, me rreth 1.000 bimë të hequra më parë. Përveç bimëve në tokë, në afërsi u identifikua një ambient i madh i dedikuar për tharjen e marijuanës.
Në vendngjarje u gjet një tjetër tendë që shërbente si depo për sistemet e ujitjes, plehrat dhe fertilizuesit e tretshëm në ujë, të cilët përdoren për të stimuluar rritjen e bimëve. Autoritetet sekuestruan pajisje të ndryshme për përpunimin e bimëve, përfshirë makineri për heqjen e kërcellit dhe degëzave, ventilatorë dhe një ngrohës industrial me ajër të nxehtë. Për sigurimin e energjisë elektrike në plantacion u gjet një gjenerator.
Sasia e drogës të gjetur përmbante gjithashtu 220 kilogramë sytha marijuane, të cilat policia vlerëson se kanë një vlerë në treg rreth 413.000 euro. Hetimet e mëtejshme priten të sqarojnë përgjegjësitë dhe rrjetin e mundshëm prapa operacionit, ndërsa të arrestuarit mbahen nën akuza për kultivim të drogës dhe shkelje të ligjeve për kontrollin e substancave të ndaluara.
Ngjarja nxori në pah dimensionin e plantacioneve të organizuara në zona pyjore të provincës Huesca, ku infraktori përdorin struktura sezonale dhe pajisje përfarë teknike për të siguruar rritjen, tharjen dhe përpunimin e kanabisit.

