Policia e Shtetit njofton se gjatë protestës së ditës së sotme forcat e saj janë përballur me akte të vazhdueshme dhune që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, si dhe sigurinë e qytetarëve. Në reagimin zyrtar theksohet se ndër veprimet problematike përfshihen sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve, si dhe dëmtimi i pronës publike e private.
Autoriteti i bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm që kryejnë këto sulme dhe shkelje të pronës, duke rikujtuar se të tilla veprime janë të papranueshme. Policia po ashtu u bën apel qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Reagimi thekson se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj, por se dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private përbëjnë shkelje që ndëshkohen sipas ligjit. Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia thekson gjithashtu se vijon të qëndrojë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke vepruar në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve. Reagimi përfundon me ripohimin e gatishmërisë së Policisë së Shtetit për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore kundrejt çdo shkeljeje që përbën rrezik për jetën, shëndetin ose pronën e personave, duke ftuar njëkohësisht qytetarët të respektojnë rendin dhe të shmangin përfshirjen në akte dhune, si mënyrë për të ruajtur sigurinë publike. Thuhet në reagimin e tyre.

