Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, më 17 tetor 2026 ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor. Gjykata njofton se do të kryhet evidentimi dhe vlerësimi i gjendjes së dosjeve për të përcaktuar shtrirjen e dëmeve materiale dhe të dokumentacionit.
Seancat gjyqësore të planifikuara në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit. Kjo masë synon të sigurojë që procedurat të zhvillohen në kushte të sigurta dhe me integritetin e plotë të dokumentacionit.
Gjykata e Lartë ka angazhuar të gjitha kapacitetet njerëzore dhe ka ndërmarrë me përgjegjësi e përkushtim çdo masë të nevojshme për përballimin e kësaj situate të pa precedentë. Prioritet i institucionit mbetet vlerësimi i saktë i dëmeve, identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar. Subjektet që do të rezultojnë të prekur nga kjo situatë do të njoftohen individualisht nëpërmjet të dhënave të tyre të kontaktit, për të marrë udhëzime dhe informacione të mëtejshme lidhur me çështjet e tyre.
Punonjësit e Gjykatës së Lartë theksojnë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e vijimësisë së proceseve gjyqësore dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te palët ndërgjyqëse, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe përdoruesit e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim, pasi procesi i verifikimit dhe rikthimit të kushteve kërkon kohë dhe kujdes maksimal për të garantuar vijimin e sigurt dhe të rregullt të veprimtarisë gjyqësore. Gjykata e Lartë deklaron se mbetet e vendosur dhe thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, në garantimin e vijimësisë së drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të palëve, duke vepruar me përgjegjësi dhe transparencë. Për datat e reja të zhvillimit të seancave, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen në vijim përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të Gjykatës së Lartë.

