Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre. Ai tha se nëse prindërit “nuk dinë t’i mbrojnë fëmijët” dhe i “linë rrugëve” djem e vajza 13, 14, 15 apo 16 vjeç që marrin pjesë si “mburojë” për të tjerët, “fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund.”
Rama gjithashtu paralajmëroi masa ndaj studentëve që braktisin shkollën për të sulmuar efektivët e Policisë. Sipas tij, ata “nuk do të kthehen në shkollë normalisht, pa pasoja administrative për këtë”: nuk do të kenë arsim falas, nuk do të përfitojnë bursa apo mbështetje financiare nga shteti. Kryeministri theksoi se studentët që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të marrin asnjë mbështetje financiare nga taksat e shqiptarëve nëse duan të vazhdojnë studimet universitare, pas veprimeve si hedhja e gurëve drejt “prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë” apo drejt fëmijëve të efektivëve të Policisë.
Rama theksoi edhe destinimin e fondeve që sipas tij do të përdoren për riparime pas dëmeve: “Me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët.” Në fjalimin e tij ai lidh përgjegjësinë individuale dhe familjare me detyrimin për kompensimin e dëmeve materiale të shkaktuara gjatë protestave dhe me kufizimin e përfitimeve arsimore për të rinjtë që marrin pjesë në akte dhune.
Top Channel

