Interi pësoi humbjen e dytë radhazi në Ligën e Kampioneve, pas barazimit të keq në Bernabeu kundër Real Madridit, duke u mund surprizueshëm në San Siro nga Club Brugge. Trajneri Cristian Chivu vlerësoi se ekipi pati një pjesë të parë të mirë dhe intensive, por pësoi një kundërsulm që solli penalltinë dhe golin. Sipas tij, skuadra u rikthye në ndeshje dhe krijoi dy raste të rëndësishme, por nuk arriti të shënonte, ndërsa frustrimi dhe ngutja prishën ekuilibrin.
Chivu theksoi se pas rezultatit 2-1 Interi nuk i mbajti dot planin e ndeshjes, edhe për meritë të përpjekjes së Club Brugge që me intensitetin në lojë vuri në vështirësi zikaltërit. Trajneri pranoi se ka aspekte që duhen rregulluar në skuadër, veçanërisht në sfidat e Ligës së Kampioneve ku rikuperimi kur je në disavantazh është i vështirë. Ai përmendi nevojën për të rishikuar ekuilibrin, duelët, luftën për topin e dytë dhe distancat e duhura mes lojtarëve.
Në aspektin mental, Chivu tha se po kërkojnë të riparojnë përgatitjen mentale dhe pranoi pjesërisht përgjegjësinë e tij për mungesën e ekuilibrit në disa lloj ndeshjesh. Ai theksoi se duhet të ruhet besimi, pasi në kalendar kanë ende gjashtë ndeshje, por këto dy humbje e kanë dëmtuar pritshmërinë dhe planet që kishin për kompeticionin. Nevojitet punë e madhe në aspektin taktik dhe mental.
Një problem të veçantë trajneri e lidhi me vështirësinë për t’u përballur me shpejtësinë e kundërshtarëve. Nga pankina ai vërejti se pas dy rasteve të krijuara në fillim të pjesës së dytë skuadra humbi intensitetin, u vendos shumë para pa u riorganizuar dhe kjo solli presing të gabuar dhe distanca të gjata. Chivu pranoi se ndoshta duhej të përgatiste më mirë skuadrën dhe të jepte më shumë qetësi gjatë pushimit, duke theksuar se Championsi ndërtohet me qetësi dhe menaxhim të episodave, dhe se duhet mentaliteti i duhur për të interpretuar momentet e ndeshjeve të këtij kompeticioni.

