Policia e Shtetit reagoi pas tensioneve dhe akteve të dhunës gjatë një tubimi që u zhvillua mesditën e sotme pranë godinës së Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, përpara zhvillimit të tubimit forcat e rendit kishin hartuar një plan masash në zbatim të ligjit dhe procedurave standarde për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Gjatë zhvillimit të tubimit një grup pjesëmarrësish kreu veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm, portën hyrëse dhe më pas duke thyer dhe dëmtuar xhamat dhe fasadën e godinës me pllaka guri dhe sende të forta.
Policia bën të ditur se pjesëmarrësit goditën punonjësit e saj me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të tjera të forta. Efektivët e Policisë u bënë thirrje disa herë personave për të ndaluar sulmin dhe për të dalë nga oborri i godinës, por sipas njoftimit nuk u bindën. Në këto kushte, strukturat e Policisë ndërhynë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.
Si pasojë e sulmeve, u lënduan gjashtë punonjës të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një shtetase, gazetare; të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëkohësisht policia ka shoqëruar 23 persona për veprime të mëtejshme procedurale. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë hetimet dhe veprimet procedurale për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë tubimit.
Policia thekson se ndërhyrjet u bënë në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës dhe riafirmon angazhimin për të garantuar ushtrimin e të drejtës kushtetuese për tubim paqësor. Ajo fton pjesëmarrësit në tubime që të mos bëhen pjesë e veprimeve kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike, duke paralajmëruar se do të përballen me pasojat penale që parashikon ligji.

