Bordi i Transparencës ka njoftuar ndryshimin e çmimeve të karburanteve, duke vendosur kufizime të reja për shitjen me pakicë dhe shumicë të nënprodukteve të naftës. Sipas njoftimit zyrtar, nafta (gazoil, standardi SSH EN 590) do të shitet me pakicë deri në 219 lekë për litër dhe me shumicë deri në 207 lekë për litër, ndërsa benzina (standard SSH EN) do të shitet me pakicë deri në 196 lekë për litër dhe me shumicë deri në 184 lekë për litër.
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit mori vendimin në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, si dhe në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, dhe të Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,’ të ndryshuar.
Vendimi u mor në mbledhjen e bordit më 13 tetor 2026 dhe çmimet e caktuara hyjnë në fuqi të njëjtën ditë, në orën 14:00. Kufizimet do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet eventuale të çmimeve të shitjes.
Njoftimi tërheq vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë mbi detyrimin për zbatimin e këtij vendimi dhe paralajmëron se, në rast të shkeljeve të konstatuara, do të vendoset pezullimi i aktivitetit të operatorëve të ndryshëm. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, shprehen të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe për ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Burimi: Top Channel.

