Një hetim i gazetës britanike The Times ngre akuza se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka përfituar miliona dollarë të padeklaruar nga organizata që tejkalojnë pagën bazë dhe bonuset e shënuara në kontratën e tij. Sipas raportimit, pagesat sekondare dhe të papublikuara kishin si qëllim të mbështesin një stil të shtrenjtë jetese në Miami.
The Times vë në dukje se që nga 2016 FIFA kishte premtuar publikimin vjetor të pagave të presidentit dhe sekretarit të përgjithshëm. Megjithatë, investigimi thotë se Infantino ka pasur dy burime të të ardhurave: një të deklaruar, e paraqitur në bilancin vjetor të FIFA-s në Zvicër, dhe një burim tjetër që nuk është bërë publik. Sipas raportit vjetor të FIFA-s për 2024, kompensimi zyrtar për Infantinon ishte 4.274.000 franga zvicerane. Por dokumente të paraqitura te Internal Revenue Service-i i SHBA-së tregojnë se për të njëjtin vit, në emër të Infantinos janë paguar edhe 1.76 milionë dollarë nga kompania e krijuar për organizimin e Botërorit në SHBA, FëC2026 US Inc — një shifër që, sipas The Times, nuk është publikuar kurrë në bilancet zyrtare të FIFA-s.
Raporti përmend gjithashtu se një pjesë e kësaj shume shërbeu për të mbuluar qiranë e një vile në një prej zonave më ekskluzive të Miami Beach, në Sunset Islands, një kompleks rezidencial i përbërë nga katër ishuj artificialë. The Times thotë se burime të kontaktuara raportuan se pagesa të ngjashme janë kryer edhe për vitet 2025 dhe 2026.
FIFA, e kontaktuar nga The Times, nuk konfirmoi as këto pagesa të dyshuara dhe nuk dha shpjegime për faktin se pse shuma të tilla nuk ishin të deklaruara në raportin vjetor. Federata nuk sqaroi gjithashtu arsyen pse të ardhurat e pretenduara nga FëC2026 US Inc nuk u bënë publike. Artikulli origjinal i referohet hetimit të The Times dhe raportimeve për dokumente të dorëzuara pranë autoriteteve tatimore.

