Kosova ka rreth tre muaj, deri në fund të dhjetorit, për të përmbushur 27 hapa reformash dhe për t’iu raportuar Bashkimit Evropian. Sipas BE-së, reformat që duhet të përmbushen deri në fund të dhjetorit kanë vlerën 165.8 milionë euro. Zyra e BE-së në Kosovë thotë për “KOHA” se përmbushja e hapave deri në muajin qershor është ende duke u vlerësuar.
Zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikola Gaon, thekson se Kosova mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht që të përmbushë reformat e përzgjedhura në kuadër të Axhendës së Reformave, si dhe parakushtet dhe kushtet e përgjithshme. “Disbursimi i fondeve nga BE-ja varet nga vlerësimi i përmbushjes së hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave, si dhe nga respektimi i kushteve të përgjithshme dhe parakushteve”, tha ai.
BE pret që pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula të rivendoset stabiliteti institucional, çka do të mundësonte Kosovës “të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë Planin e Rritjes”. Në kuadër të këtij plani prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, Kosova ka në dispozicion mbi 800 milionë euro. Afati për shfrytëzimin e këtyre mjeteve skadon në verën e vitit 2027; nëse shtetet nuk përmbushin reformat në kohë, mjetet i kthehen buxhetit të Bashkimit Evropian.
Deri më tani, Kosova nuk ka marrë asnjë pagesë të rregullt nga këto fonde, përveç një parafinancimi prej 61.8 milionë eurosh, të ndarë në prill të këtij viti. Vlerësimi i përmbushjes së hapave të Axhendës së Reformave dhe plotësimi i kushteve të përgjithshme dhe parakushteve mbeten vendimtarë për disbursimin e fondeve të mëtejshme nga BE-ja.

