Drejtori i Mercedesit, Toto Wolff, ka reaguar me ashpërsi ndaj teorive që qarkullojnë në rrjetet sociale se ekipi po favorizon Kimi Antonellin në dëm të George Russell. Wolff i ka cilësuar këto pretendime si “plotësisht absurde”, duke thënë se kush mendon kështu është “idiot” dhe duke mohuar që ekipi të ketë ndonjë arsye për të vënë një pilot në disavantazh ndaj tjetrit, veçanërisht në një sezon në të cilin Mercedes lufton për titullin e konstruktorëve.
Ai ka theksuar se Mercedes ka pasur gjithmonë parimin e trajtimit të barabartë të pilotëve, duke u ofruar të dy pilotëve të njëjtën mbështetje teknike dhe të njëjtat mundësi. “Pse do ta vendosnim njërin pilot në disavantazh ndaj tjetrit, kur po luftojmë për kampionatin e konstruktorëve? Ne kemi pasur gjithmonë filozofinë e ofrimit të të njëjtit material për të dy pilotët”, deklaroi Wolff, duke nënvizuar se nuk ka asnjë mekanizëm të tillë të ndëshkimit selektiv siç përshkruhet në spekulime.
Ai kritikoi mënyrën se si rrjetet sociale lejojnë përhapjen e teorive dhe akuzave pa prova, duke vënë në dukje polarizimin dhe anonimitetin që nxisin shpërndarjen e pohimeve të pabazuara. “Mendoj se ky është drejtimi që po marrin sot mediat sociale. Njerëzit fshihen pas një ekrani dhe lëshojnë pe. Ka shumë polarizim dhe ndonjëherë lexoj çfarë shkruajnë. Më duket qesharake”, u shpreh Wolff.
Drejtuesi i Mercedesit tha se nuk e shqetësojnë fyerjet personale dhe komentet negative ndaj ekipit, por e konsideron të papranueshme shpikjen e historive për të krijuar polemika. “Kam zero mirëkuptim dhe respekt për njerëzit që sajojnë këto histori. Në vend që të shikojnë Formula 1, duhet të shikojnë Teletubbies ose Mickey Mouse”, përfundoi ai.

