Lamine Yamal nuk pritet të pushojë në ndeshjen e Barcelonës ndaj Getafes, pavarësisht ngarkesës së lartë fizike gjatë ndeshjeve me kombëtaren spanjolle. Trajneri Hansi Flick konfirmoi besimin e tij te talenti 18-vjeçar, e vlerësoi me superlativa dhe parashikoi se ai do të bëhet lojtari më i mirë në botë.
Gjatë pushimit të kombëtareve, Yamal luajti 280 minuta, dhjetë më shumë se sa kishte premtuar trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente. Megjithatë, ai u rikthye në klub pas një paraqitjeje mbresëlënëse me Spanjën, duke shënuar katër gola dhe dhënë një asist në katër ndeshje. Flick shprehu kënaqësinë për paraqitjet e tij, si me kombëtaren ashtu edhe me Barcelonën, dhe theksoi se niveli i Yamalit ka qenë i jashtëzakonshëm. “Ajo që kam parë në ndeshjet me Spanjën dhe me ne në tetë ndeshjet e para është e pabesueshme. E kam parë nga afër edhe në Londër, në ndeshjen kundër Anglisë”, deklaroi trajneri gjerman.
I pyetur për mundësinë e një pushimi pas ngarkesës së minutave, Flick la të kuptohet se nuk do të ketë pushim në këtë sfidë, duke shtuar se “Janë të rinj dhe rikuperohen shpejt”. Ai theksoi se përtej aftësive teknike, ajo që e dallon Yamalin është mentaliteti dhe dëshira për t’u përmirësuar çdo ditë. “Ai është i ri dhe kënaqet duke luajtur futboll. Nëse nuk stërvitet shumë, është mirë që ka arritur ta ruajë këtë nivel. Ai e shijon futbollin, ka besim te vetja dhe qëndrimi i tij është i jashtëzakonshëm. Ajo që shohim në stërvitje është shumë e mirë”, tha Flick.
Trajneri shkoi më tej duke e konsideruar Yamalin si një kandidat të sigurt për majat e futbollit botëror: “Do të jetë lojtari më i mirë në botë, nëse nuk është tashmë i tillë”. Ai vuri në dukje se mentaliteti, përkushtimi dhe vullneti për t’u përmirësuar janë elementet që do ta ndihmojnë rritjen e tij dhe përfundoi se për momentin lojtari është në rrugën e duhur dhe ai është shumë i kënaqur me të.
Ndërkohë, Barcelona po përgatitet për rikthimin në kampionat pas pushimit të kombëtareve. Një lajm pozitiv për Flick është rikthimi i mesfushorit Frenkie de Jong në stërvitje me grupin, pas periudhës me seanca individuale.

