Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, gruaja spanjolle që u bë simbol i krizës së strehimit pas dëbimit nga apartamenti ku kishte jetuar më shumë se 70 vjet, ka ndërruar jetë, njoftoi Sindikata e Qiramarrësve të Madridit. Rasti i Abascal shkaktoi reagime të forta publike dhe protesta në gjithë Spanjën. Më 23 shtator, ajo u nxor me forcë nga banesa e saj “mbi një barelë” pasi nuk arriti të përballonte rritjen e qirasë.
Një problem ligjor i lejoi pronarin të rrite qiranë nga 500 euro në 2,650 euro në muaj; më pas shuma u ul në 1,650 euro, por kjo ishte rreth 300 euro më shumë se pensioni i saj mujor. Pas dëbimit, kompania që zotëronte apartamentin ofroi ta lejonte Abascal të rikthehej me një qira më të ulët, por marrëveshja nuk u firmos sepse ajo ishte shtruar në spital.
Sindikata e Qiramarrësve të Madridit deklaroi: “Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ndërroi jetë sot”, dhe e përshkroi rastin e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”. Organizata e quajti situatën “krejtësisht e shmangshme pas një procesi torturues” dhe tha se çmimi i paguar për të arritur deri në këtë pikë “ishte shumë i lartë”. Sindikata gjithashtu theksoi se oferta për rikthim erdhi tepër vonë.
Rasti i Abascal u transformua në një nga simbolet e krizës së strehimit në Spanjë dhe shtyu protesta që ushtruan presion mbi qeverinë e koalicionit të kryeministrit Pedro Sánchez për miratimin e masave emergjente për strehimin. Projektligjet përkatëse u rrëzuan më vonë në Kongres, dhe dhjetëra mijëra persona dolën në rrugët e qyteteve spanjolle, duke kërkuar ndërhyrje për rritjen e kostove të banesave dhe mbrojtjen e qiramarrësve.
Pas lajmit për vdekjen e saj, protestues u mblodhën në Puerta del Sol të Madridit, që prej ditësh ishte kthyer në një pikë grumbullimi për protestat lidhur me krizën e strehimit. Kryeministri Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për familjen e 87-vjeçares.

