Inside Story ka siguruar materiale që dokumentojnë infiltrimin e një oficeri të policisë brenda një grupi që trafikon emigrantë me pasaporta false. Agjenti, i identifikuar me numër kodik 341, u fut në biseda me Njazi Ademajn, personin që ofronte pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi të falsifikuara. Komunikimi filloi më 17 shkurt 2024, kur agjenti i kërkoi Ademajt ndihmë për t’u kthyer nga Londra, duke pretenduar se kishte babanë të sëmurë dhe duhej garanci se do të mund të kthehej më pas në Britani. Nga bisedat del se Ademaj, megjithëse nuk e njihte agjentin, i dha besim dhe përshkroi me detaje ofertën e grupit, duke garantuar sukses në një shkallë që ai e vlerësoi afërsisht 99%.
Më 11 mars 2024 agjenti i shkroi Ademajt në WhatsApp për të kërkuar një takim; takimi u zhvillua ditën pasardhëse dhe, pasi Ademaj shpjegoi kushtet dhe pagesat, rezultoi se bëhej fjalë për një agjent nën mbulim. Ademaj i ofroi paketë të plotë dokumentesh – kartë identiteti, leje drejtimi, pasaportë me çip dhe bileta udhëtimi – kundrejt pagesës prej 10,000 eurosh. Momentet e dorëzimit të fotove dhe të dokumenteve u regjistruan nga distanca nga grupi hetimor. Anëtari i falsifikatorëve i kërkoi agjentit të udhëtonte për në Barcelonë për të marrë dokumentet, me plan të mëpasshëm për të udhëtuar drejt Dublinit dhe pastaj në Angli. Për pagesën, Ademaj kërkoi që të lëshohej një garanci në Shqipëri dhe të paguhej pasi personi kalonte kufirin.
Më 25 mars Ademaj i dha agjentit kontaktet e agjencisë “Domi Travel” për të marrë dokumentet në Tarragonë. Agjenti u takua me shoferin Jugert Gashin pranë hotel “Tarraco Park”, i cili e dërgoi te një tjetër person me furgon ku ndodheshin dokumentet. Dorëzimi, i vëzhguar nga grupi hetimor, u bë nga shoferi Adrian Mema, i cili i dorëzoi agjentit një pasaportë italiane të falsifikuar me emrin Matteo Ceresa, datëlindja 20 janar 1989, e lindur në Bolzano. Pas takimit, Ademaj kërkoi foto të pasaportës false dhe asaj shqiptare për të përgatitur biletat drejt Dublin. Grupi kishte edhe lidhje në Spanjë dhe i dha agjentit udhëzime konkrete për sjelljen gjatë kontrolleve dhe procedurat e udhëtimit. Top Channel.

