Pas pesë javësh nga vënia në zbatim e iniciativës “Prania Besnike” përmes takimeve individuale të deputetëve të Partisë Socialiste me qytetarët, Top Channel zbulon se në platformën online të dedikuar janë regjistruar mbi 1,862 shqetësime. Burime nga PS i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se që nga 4 shtatori, kur nisi zbatimi, të gjitha ankesat që deputetët shënojnë i hidhen në platformën Praniabesnike.PS.Al.
Prania Besnike përshkruhet si një aksion politik i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, dhe si aktiviteti më i rëndësishëm për PS në këtë mandat të katërt qeverisës. Platforma funksionon sipas katër parimeve: Dëgjo, Shëno, Adreso dhe Ndiq. Nën këto parime shfaqet edhe motoja “Nga toka duken më mirë njerëzit”, e shoqëruar me një foto.
Pas mbarimit të dëgjesave javore me qytetarët, çdo deputet me kredenciale të personalizuara hyn në platformë dhe regjistron shqetësimet e marra. Çdo ankesë i dërgohet më pas me e-mail institucionit përkatës, i cili është i detyruar që brenda 30 ditësh të kthejë përgjigje me zgjidhjen e problemit. Përgjigjet që merren regjistrohen në sistem si raste të zgjidhura ose në proces zgjidhjeje. Kur institucioni nuk jep përgjigje brenda afatit, drejtuesi politik i qarkut kontakton institucionin dhe kërkon shpjegime rast pas rasti për mungesën e përgjigjes.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një takim të Pranisë Besnike më 11 shtator në Shkozë dhe e shoqëroi foton e takimit me koment: “Prania Besnike është një eksperiencë krejt ndryshe nga çdo gjë që kam jetuar në politikë prej kaq shumë vitesh.” Përveç pjesëmarrjes në takime, Rama mbledh çdo javë në Vilën e Kuqe në Tiranë 12 drejtues politikë të PS, të cilët raportojnë me detaje ecurinë e iniciativës.
Top Channel raporton për herë të parë për mënyrën se si funksionon “Prania Besnike”, duke u bazuar në deklarimet e burimeve brenda PS dhe në bisedat me deputetë socialistë.

