Programi “Goca dhe Gra” rikthehet sonte në ekranin e Top Channel dhe këtë sezon vjen me katër bashkëmoderatore në tryezë. Ori Nebiajt dhe Ema Andreas i bashkohen Selin Bollati, në përvojën e saj të parë si moderatore, ndërsa Orinda Huta debuton si pjesë e familjes së Top Channel. Emisioni do të transmetohet drejtpërdrejt çdo të shtunë në mbrëmje.
Në takimet e çdo të shtune, moderatorët do të diskutojnë çështje që prekin audiencën dhe vetë ato do të jenë po ashtu të ftuara në emision, të gatshme të ndajnë mendimet pa filtra përballë publikut. Selin Bollati thotë: “Nuk kam ndrojtje për të dhënë mendimin tim të vërtetë. Të shohim si do i presë publiku mendimet e mia, ashtu pa filtra.” Ema Andrea shpreh se ambienti i ka dhënë respekt dhe hapësirë për të qenë vetvetja: “Për një gjë jam e sigurt, do të them atë që mendoj dhe gjithmonë me përgjegjësi dhe duke argumentuar mendimin tim.” Orinda Huta thekson se do të flasë për mendimet e saj, për familjen dhe marrëdhëniet me mamat, si dhe për eksperiencat që ato ndajnë çdo ditë: “Jam e bindur që do të na japin më shumë forcë.”
Emisioni premton surpriza dhe të ftuar që hapin zemrën përballë gocave dhe grave, me rrëfime emocionale dhe të pathëna. Ori Nebiaj vë në dukje perceptimin se programi është për gra që flasin për gratë, por thekson se temat që lidhen me meshkujt kanë qenë shpesh më të shumta: “Edhe këtë sezon do të mundohemi të prekim të gjitha tematikat që konsiderojmë se duhen trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë.”
Për të tetin sezon radhazi, nën autorësinë e Saimir Muzhakës, “Goca dhe Gra” do të shoqërojë transmetimet e drejtpërdrejta çdo të shtunë në mbrëmje në Top Channel.

