Këshilli i Ministrave miratoi më 2 tetor projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Projektligji synon të krijojë një kuadër ligjor të plotë për tregtimin dhe ofrimin e shërbimeve që lidhen me kripto-asetet në Shqipëri, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian.
Dokumenti përafron legjislacionin shqiptar me Rregulloren e BE-së 2023/1114, të njohur si MiCA, dhe parashikon rregulla për emetimin e kripto-aseteve, funksionimin e platformave të tregtimit, ruajtjen dhe këmbimin e tyre, si dhe për shërbime të tjera që lidhen me këtë treg. Projektligji ndërmerr klasifikime dhe trajtime të ndryshme për llojet e kripto-aseteve, sipas karakteristikave dhe rreziqeve të tyre, duke përcaktuar kështu korniza të përshtatshme rregullatore për secilën kategori.
Një nga qëllimet kryesore të projektligjit është mbrojtja e investitorëve dhe rritja e transparencës në aktivitetet me kripto-asete. Për të arritur këto synime, tekstit i shtohen kërkesa të detajuara për kapitalin e nevojshëm të operatorëve, standarde të qeverisjes së kompanive dhe masa për menaxhimin e konflikteve të interesit. Po ashtu, projektligji përfshin kërkesa lidhur me sigurinë kibernetike dhe masa kundër abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave, për të frenuar risqet operacionale dhe kriminale.
Me këtë kuadër të ri synohet që aktiviteti i operatorëve të kripto-aseteve në Shqipëri të zhvillohet mbi rregulla më të qarta dhe të harmonizuara me standardet evropiane. Projektligji synon të ofrojë një mjedis më të rregulluar për ofruesit e shërbimeve dhe pjesëmarrësit e tjerë në tregun e kripto-aseteve, duke përcaktuar përgjegjësi dhe kushte për funksionimin e tyre brenda kornizës së përafruar me MiCA.
Burimi: Top Channel.

